2.3 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Nga seanca në seancë, Projektligji për fertilizim të asistuar mjekësor vazhdon ta përçajë VV’në

Kuvendi i Kosovës s’ka arritur ta miratojë as dje Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, në mungesë kuorumi.

Pavarësisht se në sallë ishin rreth 80 deputetë, mbi 20 prej tyre nuk morën pjesë në votim, disa edhe të partisë në pushtet. Ky projektligj është dërguar për votim në Kuvend që nga marsi, por prej atëherë vetëm është përcjellë nga seanca në seancë në mungesë të korumit.

Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor po vazhdon ta përçajë Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Partia në pushtet s’po arrin t’i bindë të gjithë deputetët e saj që ta votojnë këtë projektligj.

Ky projektligj ka qenë në rend dite në seancën e djeshme, por ka dështuar të miratohet në mungesë kuorumi.

Pro këtij projektligji votuan edhe shumica e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që disa të partisë në pushtet nuk morën fare pjesë në procesin e votimit. Të drejtën e votës nuk e shfrytëzuan as deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e hodhi dy herë në votim këtë projektligj. Herën e parë në sallë ishin 78 deputetë, por vetëm 57 votuan.

“Qysh po e shoh unë, nuk ka pas kourum Kuvendi. 57 deputetë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit”, tha Konjufca.

Në sallë erdhën më pas edhe dy deputetë dhe me shpresën se dikush prej deputetëve do ta ndërrojë mendjen, Konjufca e hodhi sërish këtë projektligj në votim.

“Herën e parë nuk patëm kourum, një pjesë e deputetëve, më shumë se 20 prej tyre ndoshta nuk votuan fare Tash e provojmë edhe një herë. Po e kuptoj premisën tënde, por kemi edhe deputetë që e ndryshojnë mendjen progresivisht. Kemi edhe kësi përvoja të mira”, tha Konjufca.

As këtë herë, s’kishte kuorum për ta miratuar në parim këtë projektligj dhe Konjufca tha se bartet për seancën e ardhshme.

“Vetëm 59 deputetë po marrin pjesë. Konsideroj që ky projektligj nuk e ka kourumin e mjaftueshëm dhe si rrjedhim nuk po e përsërisim më, prandaj kjo bartet për në seancën e radhës”, deklaroi kryeparlamentari.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk mori pjesë në procesin e votimit.

Në një prononcim për Gazetën Express para disa javëve, Rrahmani kishte thënë se s’do të votojë për këtë projektligj derisa të bëhen ndryshimet që kishte kërkuar.

Për këto ndryshime, ai kishte pasur edhe një përplasje me bashkëpartiaken e tij, Saranda Bogujevcin, kur projektligji ishte sjellë në Kuvend për herë të parë, më 9 mars.

Rrahmani ishte deklaruar kundër nenit që parasheh që të drejtën për fertilizim të asistuar mjekësor (FAM) mund ta shfrytëzojnë edhe gratë e pamartuara.

Ai i kishte kërkuar Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, që ta tërheq këtë projektligj, me arsyetimin se në formën që është aktualisht “cenon familjen”.

“Parimisht, mendoj që duhet të rishikohet ky projektligj i propozuar nga Ministri, për shkak që cenon familjen, familjen të cilën neve, ose të paktën unë personalisht besoj dhe angazhohem për mbrojtjen e vlerave të saj. Njëri prej neneve ku këtu sqarohet se e drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara, por edhe çështje tjera që u folën nga deputetë parafolës. Unë personalisht nuk do të marr pjesë në këtë votim dhe kisha kërku nga Ministri që ta tërheq dhe ta diskutoj dhe t’i merr parasysh kritikat e deputetëve”, kishte thënë Rrahmani.

Ndaj deklaratës së Rrahmanit kishte reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Ajo kishte ndarë edhe një përvojë personale të saj.

“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë, që unë përderisa nuk e kam pas mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore ose çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë. Edhe unë duhna me qenë e limitume, në bazë të asaj që e the, vetëm pse një shoqni mendon që një normë duhet me qenë në një formë të caktume. Edhe përderisa unë kam dashtë me u ba nanë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofru shkenca për me ma mundësu atë të drejtë, e jo me ma determinu një burrë, që unë duhna doemos me pas një burrë me të cilin unë martohem, për me e pas mundësinë me u ba nanë”, kishte thënë Bogujevci.

“Jo të gjithë mundemi me zgjedh dhe e kemi mundësinë me zgjedh në mënyrën qysh e përcakton shoqnia me e pas mënyrën e jetesës. Kështu që duhet t’i kemi parasysh edhe këto elemente. Ka ardh koha t’i lajmë gratë rehat të vendosin për jetën e tyre, pa i imponu vlera të cilat mendojmë se janë vlerë shoqërore”, e kishte përmbyllur deklaratën e saj Bogujevci.

As pas këtij reagimi, Rrahmani s’e kishte zbutur qëndrimin.

“Natyrisht që e mirëkuptoj dhe e respektoj qëndrimin e deputetes Saranda, mirëpo në asnjë mënyrë as qëndrimet e deputetes Bogujevci e as dikujt tjetër nuk ndikojnë në mendimet e qëndrimet e mia edhe për atë se për çka jam këtu. Është e drejtë, natyrisht, që edhe me propozu gjëra të tilla, por është e drejtë edhe e imja që si deputet të kundërshtoj dhe të paraqes vlera të tjera që unë i mendoj që janë si vlera. Natyrisht ashtu siç nuk kemi të drejtë askush t’i ndalojmë askujt që të bëhet nënë, as fëmijëve nuk kemi të drejtë që t’ua ndalojmë të kenë babë”, tha Rrahmani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img