Site icon PrishtinaPress

Nga lufta e Kosovës në Përfaqësuesen e Italisë

Ardian Iballi është njëri prej shumë sportistëve kosovarë që janë rritur jashtë vendit, duke bërë karrierë të suksesshme. 22-vjeçari i ka përballuar të gjitha vështirësitë dhe këtë javë debutoi me Përfaqësuesen e Italisë në hendboll. Prizrenasi ndihet i lumtur dhe premton se do të japë gjithçka nga vetja për “Azzurri”. Ai e kujton edhe kohën e luftës dhe momentin e jetës kur e mori pasaportën italiane
Lufta i ishte shfaqur në prag të shtëpisë, kur nuk i kishte as 5 vjet. Mirëpo, tashmë e kishte mësuar domethënien e tmerrit dhe bombave, në një vend jostabil, në një jetë të vështirë, e cila ishte bërë thuajse e pamundur të jetohej, shkruan sot gazeta Zëri.
Më pas, largimi nga Kosova, arritja në Itali, dashuria për hendbollin dhe debutimi i pabesueshëm në Kombëtaren italiane. Ardian Iballi e ka marrë veten para se të rrëzohej, pas vuajtjeve dhe jetës së vështirë.
Sot, lojtari qendror i krahut, i skuadrës Accademia Conversano në ligën A/1, i rritur në Oderzo, mund ta shijojë ditën për të cilën thotë se do ta kujtojë gjatë tërë jetës.
Mediet italiane ia kanë kushtuar një shkrim special hendbollistit kosovar, i cili ka debutuar këtë javë me Kombëtaren A të Italisë në hendboll, e cila e mposhti Gjeorgjinë 26:19, në ndeshjen e parë kualifikuese për “Evropianin 2020”, në ndeshjen e zhvilluar në Siracusa.
Një gol, pesë asistime dhe dy penallti të nxjerra pas inkuadrimit në lojë në minutën e 17-të. Pa dyshim, kjo ishte një ndjenjë speciale për 22-vjeçarin.
“Është një ndjenjë e shkëlqyeshme që debutova me Përfaqësuesen e Italisë. Gjithashtu edhe shënova gol, kjo ishte një gjë e bukur po ashtu. Nuk e imagjinoja dot. Hera e parë, hera e parë nuk harrohet kurrë”, ka thënë Iballi pas ndeshjes, përcjellë Zëri.
Ai e ka marrë nënshtetësinë italiane qe dy vjet, ndërsa po kalon formë të shkëlqyer duke realizuar 23 gola në pesë xhirot e para në kampionatin italian. Pavarësisht moshës së re, ai po e jep eksperiencën e akumuluar me “Pallamano Oderzo”.
Këtë fanellë e kishte veshur derisa shkoi në shkollën e mesme. Në atë periudhë ai ishte zgjedhur lojtari i krahut të djathtë më i mirë në finalet e U-20 në vitin 2013, duke dominuar edhe si top-shënues vitin pasues, ndërsa më pas e veshi fanellën e skuadrës së parë deri vitin e kaluar, kur është shitur në Conversano.
Ardiani e ka përpara një karrierë të gjatë, derisa ai do të luajë edhe sot në fanellën e Përfaqësueses italiane në Tbilisi, ndërsa pritet të jetë pjesë e “Azzurri”-t edhe në përballjen e dyfishtë me Luksemburgun në janar.
Gjithnjë nëse iu përmbahet pritshmërive: mirëpo, Iballi nuk e ka ndërmend të ndalet, raporton Zëri.
Image
Iballi: Kosovën e lashë në vitin 2002, synoj të kem karrierë të suksesshme
Në Oderzo, është e qartë se është pjesë e shtëpisë. Aty jetojnë ende prindërit e tij, babai Nemeth dhe nëna Zelija. Kryefamiljari, i cili punon si operator në fabrikë, ishte i pari që kishte arritur në Itali, në vitin 2000.
Shtëpia e tyre në Prizren ishte bombarduar një vit më herët gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë kundër Serbisë.
Fillimisht ia kishte dalë të shkonte në Shqipëri si refugjat, më pas ishte kthyer në Prizren shpejt para se të largohej, pasi e ka marrë pasaportën, në bordin e një trageti Durrës – Bari.
“Pas bombardimeve, kemi arritur të shkonim si refugjatë në Shqipëri. Më pas jemi kthyer në Prizren, qytet të cilin e kemi lënë përfundimisht në vitin 2002, pas një pritjeje të gjatë për pasaportë, të cilën arritëm ta merrnim”, kujton kohërat e vështira Iballi, shkruan Zëri.
“Isha 8 vjeç kur në vitin 2002 së bashku me mamanë, Zelija dhe vëllain Endrik (luan edhe ai hendboll, me ekipin U-20 të Italisë), ia dola ta merrja pasaportën dhe të largohesha nga Prizreni, i cili ishte bombarduar në vitin 1999 për ta arritur bordin e tragetit Durrës – Bari, ndërsa babai im, Nemeth, kishte shkuar në Itali dy vjet më herët, duke u vendosur në Oderzo, një provincë e Trevisos, ku punon ende”, vazhdon Ardiani.
I larguar nga lufta si shumë kosovarë, Ardiani ia ka dalë të integrohet duke i miksuar shkollën dhe sportin dhe tash si 20-vjeçar i mban në krahë ngjyrat e përfaqësueses italiane. Jehona e luftës është gjithnjë e më larg…

Exit mobile version