Site icon PrishtinaPress

Nga lloçi i Kosovës në yje të Kombëtares dardane

Futbolli kosovar është përballur me sfida të ndryshme dhe me vështirësi të mëdha ndër vite.

Izolimi ishte problemi kryesor që e përcolli shumë gjatë futbollin e këtushëm, ndërsa mungoi edhe infrastruktura dhe probleme të tjera të natyrave të ndryshme.

Por, përkundër faktit se i kishte një kerr probleme, futbolli kosovar nxori lojtarë të mëdhenj dhe vendi ynë konsiderohet si një minierë e talenteve, shkruan “Gazeta Express”.

E kjo ka bërë që pikërisht nga lloçi i futbollit kosovar të dalin yjet më të mëdhenj të ekipit aktual të Kombëtares së Kosovës.

Vedat Muriqi është njëri prej yjeve të “Dardanëve” që nisi gjithçka në futbollin kosovar.

29 vjeçari nisi gjithçka në klubin e qytetit të tij, Liria nga Prizreni.

Më pas, karrierën e vazhdoi në Shqipëri, ku luajti te Teuta e Besa, për ta vazhduar karrierën në Turqi.

Aty fillimisht luajti në Giresunspor dhe më pas shkoi në Gençlerbirligji.

Tutje, sulmuesi shtatlartë nënshkroi me Rizesporin para se të përfundonte në Fenerbahçe.

Prej Turqisë e vazhdoi karrierën në Itali, ku nuk e pati një eksperiencë të mirë.

Por, Muriqi e gjeti veten në Spanjë, ku nënshkroi me Mallorcan, shkruan “Gazeta Express”.

Ai e mbylli sezonin me 15 gola në La Liga dhe vlera e tij është rritur në 15 milionë euro.

“Pirati” e ndihmoi ekipin ishullor spanjoll të mbetej në ligën elitare, ndërsa është bërë objektiv i klubeve të njohura evropiane.

Pa dyshim, Muriqi është njëri prej lojtarëve më të mëdhenj pasluftës që doli nga futbolli kosovar.

Vlera e tij sipas “Transfermarkt” është 15 milionë euro.

I tillë është edhe Amir Rrahmani.

Mocaniku i Vedat Muriqit e kishte nisur karrierën në futbollin kosovar, më saktësisht tek klubi i futbollit Drenica.

Pastaj, ai luajti shkurt në Shqipëri te Partizani i Tiranës.

Tutje, qendërmbrojtësi kosovar e pati një eksperiencë të suksesshme në Kroaci, ku luajti me Splitin, Lokomotivën e Zagrebit dhe tek gjiganti kroat, Dinamo Zagreb.

Më pas, Rrahmani e bëri hapin e radhës për të shkuar në Itali, ku e tregoi veten tek Verona.

Kjo bëri që atij t’ia vinte syrin Napoli, ku u bë shtyllë e ekipit.

Me napolitanët e fitoi së fundmi titullin e kampionit.

Pra, karriera e Rrahmanit ishte sensacionale.

Prej futbollit kosovar, ku e kishte rrogën 250 euro në muaj, që i bie 3 mijë euro në vit, sot rroga e tij është 2,5 milionë euro.

Dhe, vlera kartonit të tij, hiç më pak se 25 milionë euro.

Një tjetër yll që doli nga futbolli i Kosovës është edhe Milot Rashica.

Vushtrriasi luajti me klubin e futbollit Kurda për të vazhduar më pas te Vushtrria.

Tutje, 26 vjeçari shkoi në Holandë për t’u transferuar në Vitesse, shkruan “Gazeta Express”.

Prej aty, ai shkoi në Gjermani, ku shkëlqeu me Werder Bremenin.

Më pas, futbollisti ofanziv nënshkroi me Norwichin në Angli, prej nga u huazua në Galatasaray.

FILE PHOTO: Soccer Football – Euro 2020 Qualifier – Group A – Bulgaria v Kosovo – Vasil Levski National Stadium, Sofia, Bulgaria – June 10, 2019 Kosovo’s Milot Rashica celebrates after the match REUTERS/Stoyan Nenov/File Photo

Në Turqi në sezonin e fundit e pati një sezon fantastik dhe e ndihmoi ekipin nga Stambolli të shpallet kampion i këtij shteti.

Vlera e kartonit të Milot Rashicës është 8.5 milionë euro.

Edon Zhegrova është ylli i radhës që ka dalë nga futbolli kosovar.

“Messi” kosovar, siç e quajnë atë, kishte luajtur në Flamurtar dhe tek Prishtina, në ekipin e të rinjve.

Më pas, ai iu bashkua ekipit belg, Truiden, prej nga shkoi tek Genku, po ashtu në Belgjikë.

Më tej, 24 vjeçari u transferua në Zvicër tek Baseli.

Edon Zhegrova (R) of Kosovo vies with Amedej Vetrih of Slovenia during the UEFA Nations League football match between Slovenia and Kosovo at the Stadium Stozice in Ljubljana on November 15, 2020. (Photo by Jure Makovec / AFP) (Photo by JURE MAKOVEC/AFP via Getty Images)

Prej shtetit helvetik, futbollisti i krahut e provoi një përvojë të re në Lille të Francës, ku luan edhe sot.

Vlera e Zhegrovës në treg është 7 milionë euro, shkruan “Gazeta Express”.

Pra, përkundër vështirësive të ndryshme, futbolli kosovar i ka dhënë shumë Kombëtares.

Natyrisht, nuk duhet lënë anash asnjëherë diasporën, lojtarët e së cilës e përbëjnë boshtin e ekipit kombëtar.

Më herët, në vitet e para të pasluftës nga futbolli kosovar kishin dalë edhe lojtarë të tjerë të njohur si Armend Dallku e Debatik Curri, të cilët luajtën për Kombëtaren e Shqipërisë.

Ndërkaq, para luftës, nga futbolli kosovar kishin dalë edhe yjet tjerë si Ardian Kozniku e Besnik Hasi, që bënë karrierë të suksesshme në Evropë. /Gazeta Express/

 

 

 

Exit mobile version