13.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Nga Liri–Pavarësi-Demokraci deri te Republika e Kosovës

Shkruan: Flurim Arifi

Liri, pavarësi, demokraci, janë fjalët e të gjithë neve, që si gjenerata të ndryshme jemi rritur duke i kultivuar dhe anatemuar në rrethet tona familjare. Populli jonë ka dhënë shumë për këtë maksim. Aq shumë kemi dhënë të gjithë ne, sejcili në mënyrën e vet, dikush përmes parave, dikush përmes djersës, dikush dijes, burgut, persekutimit dhe në fund, duke e përmbyll me sakrifikim sublim, dhënien e jetës.

Gjenerata të tëra kanë punuar, organizuar, protestuar, e janë sakrifikuar që ne sot të kemi këtë liri, pavarësi dhe demokraci. Ne si popull shqiptarë kudo që jemi, për një gjë jemi të njohur, fenomeni që ,,si individ funksionojmë perfekt,, por fatkeqësisht si grupë ngecim. Ky ‘mallkim’ është dëshmuar në shumë raste, më së lehti për të kuptuar këtë fenomen, është të fokusohemi në sport. Në çdo fushë ku kërkohet angazhim individual kemi suksese e edhe suksese të jashtëzakonshme. Në art psh. kemi suksese të jashtëzakonshëm individuale, por kur kërkohet angazhimi ekipor kemi disi një ngecje të natyrshme.

Ajo që dua të them është që edhe pse ky ‘mallkim’ i ngecjes në grupacione, ne si popull disi kemi arritur të punojmë edhe kundër këtij fenomeni mbi natyror ( lexo mallkim). Kjo punë mund të dëshmohet nëpër vite si në aspektin historik ashtu edhe në atë politik, si p.sh. Periudha e Skënderbeut. Unifikimi i spektrit politiko-ushtarak, shpallja e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, kongresi i Manastirit, themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (si lëvizje e orientuar drejtë perëndimit) dhe së fundi, shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Të gjitha këto ‘unifikime’ politike-sociale-ekonomike dhe së fundit ushtarake, të japin një shpresë që ardhmëria e popullit shqiptarë është e sigurt.

Por, shtrohet pyetja a jemi të kënaqur ne me të arriturat tona si popull dhe si shtet, d.m.th a jemi të kënaqur me Republikën tonë, me funksionimin e institucioneve tona, me kualitetin e jetës tonë?

Përgjigjja e përgjithshme është JO.

Në disa hulumtime të cilat janë bërë nga organizatat ndërkombëtare, populli i Republikës tonë nuk është i kënaqur aspak me të arriturat e shtetit tonë, si në aspektin politik, ashtu edhe atë social e ekonomik.

Fajtori për këtë pakënaqësi merr dimension shumë të gjerë, prandaj fokusi i kritikës tonë duhet të filloj tek çdonjëri nga vetja, dhe pa dyshim që duhet të shtrojmë pyetjen e mirënjohur të ish- Presidentit të mirënjohur amerikane John F. Kennedy ,, ask not what your country can do for you — ask what you can do for your country,,. (Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, por ç’mund të bësh ti për të)

Çdonjëri nga ne, ka obligim në zhvillimin dhe mbrojtjen e Republikës sonë, kjo për mua dhe për sejcilin qytetar të urtë nënkupton, pagesa e rrymës, pagesa e tatimeve, kujdesi për ambientin, kujdesi në trafik, kujdesi për infrastrukturën shtetërore, polici kryen detyrën me nderë, zyrtari është i përgjegjshëm, media të lira, shoqëri civile të mirëfilltë etj.

Të gjitha këto obligime qytetare nënkuptojnë, shoqëri e zhvilluar demokratike e cila merr përgjegjësi për veprimet e veta, dhe në të njëjtën kohë kërkon përgjegjësi nga institucionet shtetërorë.

Republika e Kosovës, fatkeqësisht nuk ka arritur që ti përmbush as 50% të këtyre normave universale që janë përqafuar nga e gjithë bota demokratike. Ne ende si shtet për fat të keq nuk kemi arritur që ti përmbushim kërkesat bazike të qytetarëve tanë, ne ende kemi një kryeqytet (ende nuk ka ligj për kryeqytetin) ku nuk ka ujë të pijshëm 24/7, ne ende nuk kemi trotuare, parqe, ne ende jemi shteti numër një për ndotje të ajrit, ne ende si shoqëri jemi të diskriminuar dhe të privuar nga e drejta elementare, gjegjësisht nuk mundemi të udhëtojmë lirshëm etj.

Duke u nisur nga këto pakënaqësi sociale, padyshim që kuptojmë gjithë këtë mllef që e kanë qytetarët tanë në relacion me shtetin tonë.

Por për këtë pakënaqësi do të duhej që të ketë përgjegjësi individuale e grupore ndaj gjithë atyre që kanë shkel mbi të drejtën tonë themelore ,,një jetë më të mirë për ne dhe fëmijët tanë,,. Kjo përgjegjësi duhet të filloj nga shumica e kastës sonë politike, duke mos anashkaluar edhe një pjesë të shoqërisë e cila ende jeton me atë maksimën e mirënjohur ‘hajtë se e drzhavës’.

Prandaj, nevoja e një sensibilizimi socio-ekonomik të shoqërisë dhe shtetit tonë është më se e nevojshme, ky revolucion politiko-social padyshim që nuk mund të bëhet nga po të njëjtit që e kanë sjell Republikën tonë në këtë gjendje.

Fizikanti i madh, Ajnshtjni e ka një shprehje të bukur ku thot. “marrëzia është të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Nevoja e zgjimit tonë nga papërgjegjësia kolektive është eminente. Populli jonë duhet që së pari të kërkojë përgjegjësi brenda familjes së vet e pastaj të arrij deri te kërkimi i përgjegjësie tek ata që janë zgjedh të udhëheqin e të krijojnë politika publike.

Ky zgjim kolektiv fillon nga çdo familje, duke u përpjek që t’i edukojmë fëmijët tanë sa ma mirë që të jetë e mundur, pastaj kalojmë në kolektiv apo rrethin në të cilin punojmë ose funksionojmë. Kjo gjeneratë e shoqërisë civile dhe e politikanëve të gjeneratës së pas luftës kanë përgjegjësi kombëtare në rritjen dhe kultivimin e shtet-dashjes dhe atdhedashurisë.

Padyshim që ky zgjim politik e socio-ekonomik nuk mund të bëhet nga po të njëjtit individ apo grupacione që e kanë menaxhuar para dhe pas luftës së fundit, por po ashtu duhet që të ceket se ky zgjim nuk mund të fillohet e as zbatohet nga pseudo-patriotë të cilët proklamojnë, zgjimin e gjeneratave të reja, barazi sociale, drejtësi kurse përbrenda janë më të kalbur se partitë tradicionale të pasluftës.

Kështu që zgjimi duhet të bëhet nga brenda dhe me kujdes të shtuar e me logjikë të shëndoshë.

Republika e Kosovës ka nevojë shumë për patriot, intelektual, filantrop, atdhedashës, shtetformues, e në fund ka nevojë për dije. Kjo nënkupton shumë punë, disciplinë dhe shumë sakrificë.

Nëse ne si popull dijmë t`i shfaqim këto veprime, jam i sigurt që rruga jonë drejtë një ardhmërie më të mirë do të jetë e sigurt. Këto veprime do të sigurojnë edhe aleancat tona që janë krijua me mund dhe sakrificë.

Unë nuk pres nga askush që të vij dhe të na shpëtoj nga vetja jonë, por besoj në shpirtin e popullit tonë, besoj në vajzat dhe djemtë Kosovar që janë rritë tani së fundi me fjalët plot botëkuptime për gjithë neve….
LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI DHE NË FUND REPUBLIKA E KOSOVËS!

Urime shteti im, urime Republika e Kosovës!!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img