Qeveria në detyrë e Kosovës kishte votuar që nga 1 prilli të hiqet taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit tregtar.
Sipas qeverisë, vendimi do mbetet në fuqi deri më 15 qershor, kur do të bëhet edhe vlerësimi i zbatimi të tij.
Rreth një muaj pasi u largua tërësisht taksa 100 për qind, në Kosovë janë importuar 12.4 milionë euro mallra nga Serbia, kurse eksporti i vendit tonë me këtë vend është 700 mijë euro. Ku importet e lëndës së parë kapin vlerën prej 3.5 milionë euro, përcjell Telegrafi.
“Gjatë periudhës raportuese nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 12.4 milionë euro. Importet e lëndës së parë kapin vlerën prej 3.5 milionë euro. Nga Kosova në Serbi janë eksportuar mallra në vlerë prej 0.7 milion euro”, thotë Dogana e Kosovës në Raportin Përmbledhës për zbatimin e masave të reciprocitetit për periudhën 01-26 prill.
Nga importi i mallrave të importuara nga Serbia janë mbledhur taksa në vlerë mbi 1 milion euro.
“Nga importi i mallrave të importuara nga Serbia janë mbledhur taksa në vlerë prej 1,069,441.89 euro sipas kategorive në vijim: 1,983.47 euro nga Dogana; 67,281.85 euro nga akciza; 1,000,090.17 euro nga TVSH; dhe 86.40 euro nga Taksa MP”, tregon Dogana.
Dogana tregon se në këtë periudhë është evidentuar një rast ku mauna së bashku me mallrat është kthyer në Serbi.
“Duke marrë në konsideratë pikat 1.1 dhe 1.2 të vendimit të qeverisë të cilat ndërlidhen me dokumentet dhe certifikatat fitosanitare dhe atyre veterinare, kompetencë e AUV-së, gjatë zbatimit të vendimit të lartë cekur i ka kushtuar rëndësi të veçantë kontrollit të dokumentacionit doganor që përcjellin mallrat me qëllim të sigurimit që emërtimet e përdorura të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në të gjitha rastet ku është vërejtur ndonjë emërtim apo denominim provokues mallrat janë kthyer mbrapa në Serbi dhe nuk janë lejuar të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe është evidentuar një rast i tillë dhe mauna së bashku me mallrat është kthyer në Serbi”, thotë Dogana.