Këngëtari serb Goran Bregoviç, pritet të këndojë para publikut shqiptar në Korçë. Organizatorët të cilët kanë lajmëruar për ardhjen e tij, po e cilësojnë ‘kulmin e atmosferës’ natën kur do të këndojë Bregoviç, derisa në Kosovë është kundërshtuar pjesëmarrja e këngëtari nacionalist serb. Bashkia e Korçës thotë për Gazetën Express se është në dijeni për këto kundërshtime, por cilëson se po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht
Ishte cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë, me këngën e tij “Kallashnikov”, por kjo nuk i ka ndaluar në Bashkinë e Korçës që ai të ftohet për koncert.
Në vitin 2006 kishte mbajtur koncert të madh në Tiranë, ku ishte vlerësuar me çmimin “Çelësi i Tiranës”, nga Edi Rama, i cili atë kohë ishte kryetar i bashkisë.
Zëri e këngët e tij në gjuhën serbe pritet të jehojnë përsëri në Shqipëri. Kësaj radhe në Korçë, në Festën e Birrës, që organizohet nga 18 deri më 22 gusht.
Nga Bashkia e Korçës, e cila është organizatorja e Festës së Birrës, kanë deklaruar për Gazetën Express se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.
“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar për Express Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës.
Megjithëse nga organizatorët tashmë është bërë e ditur se Bregoviç pritet të jetë në Korçë, Katundi tha se nuk e di ende nëse është konfirmuar pjesëmarrja e tij.
“Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë apo jo”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri.
Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave,
“I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.
Ndryshe, lajmi se Bregoviç pritet të performojë në Korçë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, për shkak të qëndrimeve të tij anti-shqiptare dhe këngëve të tij që janë cilësuar si inspirim i ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë./GazetaExpress/