Site icon PrishtinaPress

Nga 28 qershori në Kosovë lejohet qarkullimi ajror dhe puna e autoshkollave

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë për të lejuar punën e transportit ajror dhe rifillimin e punës së autoshkollave, i cili u bë i mundur pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike të cilën e ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi, ditën e nënshkrimit, ndërsa bëhet e ditur që kjo do të ndodhë nën masa strikte të mbrojtjes, në mënyrë që të mos përhapet edhe më shumë sëmundja ngjitëse,  COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fillim të mbledhjes së radhës së Qeverisë së Kosovës, i propozoi kësaj të fundit që të hap aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtarët.

Siç tha Zemaj, në transportin ajror do të lejohen vetëm vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë dhe ruajtje të shëndetit duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Kurse, të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, rekomandohen që të kenë testin negativ për COVID-19 jo më të vjetër se katër ditë.

“Me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i kam propozuar Qeverisë së Kosovës që të miratoj vendimin për rifillimin e transportit ajror në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike”, tha Zemaj.

Për transportin ajror dhe autoshkollat foli edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se kjo synohet të bëhet deri në fund të kësaj jave.

“I heqim barrierat për lejimin e transportit ajror edhe lejimin e punës së autoshkollave, pasi ka pasur një interes të shtuar publike ditëve të fundit. Synojmë që në fund të javës të fillojmë punës të transportit ajror dhe punën e autoshkollave”, ka thënë Abrashi.

Exit mobile version