Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke i dënuar me 38 vite e gjysmë burgim të akuzuarit Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha, për dy vepra penale të grabitjes me pasoja vdekje, ndërsa i akuzuari i parë edhe për armëmbajtje pa leje, pasi shkalla e parë i kishte dënuar me 27 vite burgim.
Të akuzuarit nga shkalla e parë ishin dënuar edhe me 1 mijë e 300 euro gjobë së bashku, pjesë kjo e aktgjykimit që është vërtetuar nga Apeli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha akuzoheshin se më 28 dhjetor 2021 pasi që planifikojnë plaçkitjen në market “Selaci” në Mitrovicë, hyjnë të maskuar në market dhe pas rezistencës së pronarit të lokalit i pandehuri Hasani kishte shkrepur armën në drejtim të të njëjtit, derisa predha e kishte goditur viktimën në fyt.
Viktima A.M kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra me armë zjarri.
Të njëjtët akuzoheshin po ashtu se një ditë më herët kishin kryer grabitje në barnatoren “Meg Pharm” në Mitrovicë, nga arka e së cilës kishin plaçkitur 130 euro dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.
Hasani ngarkohej nga prokuroria edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe, sipas aktgjykimit të Apelit të marrë më 21 shkurt 2023, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, duke ndryshuar kështu aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin.
Kurse, ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Muhamed Hasani, avokatit Bashkim Mehana, është refuzuar si e pabazuar, ndërsa si e palejuar është hudhur ankesa e të dëmtuarës A.M.
Me vendimin e Apelit, i akuzuari Muhamed Hasani për dy vepra penale të grabitjes dhe për armëmbajtje pa leje është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vitesh e 6 muaj, ndërsa si i vërtetuar nga shkalla e parë është marrë dënimi me gjobë prej 700 euro.
Kurse, të akuzuarit Gramos Rexha, për dy vepra penale të grabitjes i ka shqiptuar dënim unik me burgim prej 15 vitesh, ndërsa si i vërtetuar nga shkalla e parë është marrë dënimi me gjobë prej 600 euro.
Në arsyetimin e aktgjykimit, thuhet se Apeli i ka gjykuar të akuzuarit si më lartë, me bindje se këto dënime të shqiptuara janë në përpjesëtim me peshën e veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të tyre si kryerës, dhe duke marrë parasysh se dënimi duhet të jetë në shërbim të preventivës së përgjithshme, posaçërisht asaj të posaçme, si dhe arritjen e qëllimit të dënimit të parashikuar me nenin 38 të KPRK-së.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë i ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese me rastin e matjes së dënimit, në raport me rrethanat rënduese.
“Qëndron fakti se rrethanat të cilave u referohet gjykata e shkallës së parë paraqesin rrethana lehtësuese sipas nenit 70 par. 3 të KPRK, mirëpo është detyrë e gjykatës që të bëjnë baraspeshimin e tyre në raport me rrethanat rënduese, të cilat padyshim rezultojnë nga mënyra e kryerjes së veprës penale dhe veprimet konkrete të secilit të akuzuar veç e veç”, thuhet në vendimin e Apelit.
Apeli ka vlerësuar se prokurori me të drejtë në ankesë ka pretenduar se nuk është vlerësuar si rrethanë rënduese fakti se të akuzuarit kanë planifikuar kryerjen e veprës penale, fakt ky që sipas vlerësimit të kësaj gjykate pasqyron një shkallë më të lartë të dashjes dhe përfshirjes së të akuzuarve në kryerjen e veprimeve inkriminuese, por edhe vendosmërinë e tyre për të realizuar të njëjtën.
“Përveç kësaj, gjykata e shkallës së parë fare nuk ka vlerësuar faktin se të akuzuarit një ditë para ngjarjes tragjike, pra më 27 dhjetor 2021, kanë kryer edhe veprën penale të grabitjes pothuajse në mënyrë të njëjtë, por pa pasoja tragjike, që do të thotë se të njëjtit janë të prirur për kryerjen e veprave të këtilla penale, si me të drejtë pretendon prokurori në ankesë”, thuhet në arsyetim.
Kurse, në lidhje me pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit Muhamed Hasani, për shqiptim të një dënimi më të butë, Apeli ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore, duke arsyetuar se të akuzuarit fare nuk kanë ndikuar në zbardhjen e rastit të parë sepse të njëjtit janë kapur nga pjesëtarët e policisë menjëherë pas kryerjes së veprës penale, prandaj fakti se i akuzuari Hasani ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale nuk paraqet kontributin e tij për zbardhjen e rastin në fjalë.
“Po ashtu, nuk qëndron as pretendimi ankimor se ky i akuzuar për herë të parë ka rënë në kundërshtim me ligjin, sepse, si u tha edhe më lartë, i akuzuari në bashkëkryerje brenda dy ditëve ka kryer edhe një vepër penale për të cilën është shpallur fajtor si në pikën II të aktgjykimit të ankimuar”, thuhet tutje në vendim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Muhamed Hasanit dhe Gramos Rexhës më 24 maj 2022.
Sipas pikës së parë të aktakuzës, Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha më 28 dhjetor 2021 rreth orës 22:20 minuta në Mitrovicë, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, pas marrëveshjes paraprake, së bashku me qëllim që vetit t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze dhe atë me përdorimin e armës së zjarrit dhe thikës tentojnë të përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër.
Rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që paraprakisht në çajtoren “Qajbahqe” të njëjtët planifikojnë grabitjen ku ndajnë rolet e tyre, ashtu që merren vesh që i pandehuri Muhamed do të merrej me pronarin, ndërsa i pandehuri Gramos do të merrte paratë nga arka.
Gjithnjë sipas marrëveshjes të njëjtit shkojnë afër marketit “Selaci” ku përcjellin lëvizjet e pronarit, tashmë të ndjerit A.M ku pasi që maskohen dhe vendosin durzat në duar futen në market, ku së pari në market hyn i pandehuri Muhamed me armë në dorë e llojit “Uzor” prodhim i ish Qekosllovakis me numër serik D82964, ndërkaq pas tij futet i pandehuri Gramos me thikë në dorë i cili mbyll derën e e lokalit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamed e repeton revolen dhe i drejtohet të dëmtuarit A.M. duke i thënë: “shtriu në tokë, grabitje, anaj paret”, ku i dëmtuari-tani i ndjeri manifeston rezistencë dhe me qëllim të mposhtjes së rezistencës dhe marrjes së parave i pandehuri Muhamed shkrep armën në drejtim të tij dhe me njërën predhë e godet në fyt, ku pas shkrepjes së armës dhe lëvizjes së kalimtarëve dy të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes.
Pjesëtarë të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë u vihen pas dhe në ndjekje e sipër në një distancë prej 350 metra nga vendi i ngjarjes arrijnë që të zënë dy të pandehurit, ku nga i pandehuri Muhamed Hasani sekuestrojnë revolen ndërkaq nga i pandehuri Gramos Rexha sekuestrojnë thikën.
Ndërkohë i dëmtuari A.M nga plagët e marra vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme masive si pasojë e dëmtime të enëve të mëdha të gjakut në anën e majtë të regjionit të qafës të shkaktuar si pasojë e plagëve sklopetare nga veprimi dinamik i predhës së armës së zjarrit.
Me këtë rast ata ngarkoheshin kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317 par. 5 lidhur me 3 e 1 dhe lidhur me 31 të KPRK-së.
Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha më 27 dhjetor 2021 rreth orës 18:30 në rrugën “Vëllezërit Dragaj” në Mitrovicë në bashkryerje dhe sipas marrëveshje paraprake me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që derisa e dëmtuara Besarta Lushta ishte duke punuar në barnatoren “Meg Pharm” dy të pandehurit hyjnë brenda, ku i pandehuri Muhamed Hasani me armë në dorë i drejtohet të dëmtuarës me fjalët “paret, mos bërtit”, ndërsa i pandehuri tjetër Gramos Rexha shkon në drejtim të arkës prej nga merr 130 euro dhe pas marrjes së parave ikin në drejtim të panjohur.
Me këtë të pandehurit e lartcekur akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317 par. 3 lidhur me 1 dhe lidhur me 31 të KPRK-së.
Në pikën e tretë të dispozitivit të aktakuzës, Muhamed Hasani 27 dhe 18 dhjetor 2021 në Mitrovicë, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa leje përkatëse ka poseduar armën e kalibrit pistoletë Uzor prodhim i ish Qekosllovakisë, me nr.D82964 një karikator dy fishek S&B 7.65, të cilat i ishin konfiskuar na policia pasi që i pandehuri paraprakisht pas kryerjes së veprës penale nën pikën e parë dhe të dytë të dispozitivit kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por që i njëjti ishte zënë dhe nga i njëjti ishte sekuestruar arma dhe municioni i sipërcekur.
Me këtë rast ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja ne pronësi, kontroll, ose posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi