Site icon PrishtinaPress

Nga 2010-a, Telekomi ia dha 70 mijë euro vëllait të Agim Çekut për një antenë në kulm të shtëpisë

Një nga 550 antenat e Telekomit të vendosura në mbarë vendin, është edhe kjo në fshatin Qyshk të Pejës.

Ajo është e vendosur në shtëpinë e Fehim Çekut, vëlla i ish-kryeministrit Agim Çeku.

Në bazë të dokumenteve që posedon KTV-ja, për këtë antenë Telekomi ka paguar dhjetëra mijëra euro qira nga vitit 2010.

3.500 euro në atë vit, e në vitin 2018, ishin paguar 9.955 euro e 20 centë.

Në total, përfshirë edhe 2.035 euro e 20 centë të vitit 2019, shuma arrin në 72.413 euro e 90 centë.

Pagesat për qira të antenës – Fehim Çeku, Qyshk, Komuna e Pejës
2010 3.500 €
2011 3.000 €
2012 5.200 €
2013 9.600 €
2014 9.050 €
2015 9.649,50 €
2016 9.960 €
2017 10.464 €
2018 9.955,20 €
2019 2.035,20 €
_____________
Totali: 72.413,90 €

Në shtëpinë e Fehim Çekut, vëlla i Agim Çekut, në momentin që ekipi i KTV-së ka qëndruar aty, nuk ka qenë asnjë person.

Fehim Çeku rezulton se jeton në Zvicër, e një gjë të tillë ia ka konfirmuar KTV-së vëllai i tij, aktualisht zëvendësministër i Mbrojtjes, Agim Çeku.

Në një bisedë telefonike, Çeku tha të jetë në dijeni për antenën, por të mos ketë informata të mëtejme për të.

KTV-ja, në fillim të këtij muaji raportoi se ngjashëm, antena nga Telekomi ishin vendosur edhe në pronat e vëllait të presidentit Hashim Thaçi, dhe në pronat e vëllait të Zonjës së Parë, Lumnije Thaçi.

Për të njëjtat, Telekomi kishte paguar afërsisht 60 mijë euro, respektivisht 30 mijë euro qira.

Exit mobile version