Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “sakrifikoi” kryeministrin e tij në një përpjekje për të qetësuar protestat që kanë përfshirë qytetet në të gjithë Serbinë, duke përbërë një sfidë të madhe për pushtetin e tij njëdekadësh, shkruan New York Times.
Kryeministri Millosh Vuçeviq, aleat i ngushtë i Vuçiqit dhe lider nominal i Partisë Progresive Serbe, tha se po jep dorëheqjen për të “mos e ngritur më tej tensionin në shoqëri” – vetëm disa orë pasi Vuçiq kërkoi “një rindërtim urgjent dhe gjithëpërfshirës të qeverisë”.
I aftë në manovrimin brenda politikës serbe, si dhe mes Rusisë dhe Perëndimit, Vuçiq ka një histori të gjatë të hedhjes së aleatëve të tij jashtë, të paktën për një kohë, dhe të shpërbërjes së partive opozitare.
Kundërshtarët janë përpjekur ta sfidojnë atë në zgjedhje, por janë bashkuar me protestat që udhëhiqen nga studentët.
Nuk është e qartë nëse largimi i kryeministrit do të qetësojë apo ndoshta madje do të eskalojë protestat në mbarë vendin, të cilat janë shtyrë nga zemërimi publik për vdekjen e 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor në Novi Sad gjatë nëntorit.
Studentët, të cilët tashmë prej javësh bllokojnë fakultetet, u mblodhën të martën para selisë së partisë në pushtet në Novi Sad, ku mbështetës të paidentifikuar rrahën disa studentë.
Muri i zyrave të partisë ishte mbuluar me grafite me mbishkrime si “vrasës”, “hajdutë”. Aktivistët që kundërshtojnë qeverinë vazhduan protestat edhe në Nish.
Vuçiq premtoi të hënën se do të plotësonte një nga kërkesat kryesore të studentëve – publikimin e kontratave dhe dokumenteve të tjera lidhur me rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, të realizuar nga një kompani kineze dhe nënkontraktorët e saj.
Shumica e kërkesave fillestare të studentëve janë plotësuar, përfshirë procesimin e përgjegjësve për katastrofën dhe shkarkimin e ministrave që mbikëqyrën projektin e rindërtimit, përfshirë ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe ministrin e Tregtisë.
Megjithatë, ndërsa protestat janë përshkallëzuar, politikanët opozitarë kanë filluar të kërkojnë që Vuçiq të formojë një “qeveri kalimtare”.
“Vuçiq po përpiqet të fitojë kohë, duke pritur që protestat të pushojnë”, tha Dragomir Angjellkoviq, analist politik që mbështet studentët.
Protestat, sipas tij, do të vazhdojnë, pasi dorëheqja e kryeministrit “është vetëm një përpjekje për një mashtrim të ri”.
Presidenca e Serbisë dikur ka qenë një pozicion kryesisht ceremonial, por që nga koha kur Vuçiq mori funksionin e presidentit pas zgjedhjeve të vitit 2017, pas një mandati si kryeministër, ajo është shndërruar në qendër dominuese të pushtetit në Serbi dhe një fokus të zemërimit të opozitës.
Kriza politike në Serbi, ku dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, ka punuar për një marrëveshje për një hotel luksoz të Trump në qendër të Beogradit, krijon një dilemë për administratën e re amerikane.
Nën presidentin Biden, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të tërheqin Vuçiqin, duke u munduar ta ndajnë atë nga partneriteti tradicional i Serbisë me Rusinë, ndërsa politikanët opozitarë e kanë kritikuar atë për qasjen e tij të butë ndaj presidentit të Serbisë.
Politika e administratës Biden ka dhënë disa rezultate, përfshirë shitjen sekrete të municionit dhe armëve të Serbisë, me vlerë pothuajse një miliard dollarë, të cilat do të përdoren nga Ukraina kundër forcave ruse, si dhe mbështetje për Serbinë në rezolutat e Kombeve të Bashkuara që dënojnë invazionin rus.
Megjithatë, Serbia ka qëndruar e palëkundur ndaj presioneve për t’u bashkuar me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka miratuar qëndrimet ruse në përgjigje të protestave, duke pretenduar se ato janë një përpjekje për të realizuar një “revolucion të ngjyrosur” nën drejtimin e “agjentëve” të Perëndimit.
Serbia javën e kaluar deportoi pesë aktivistë nga Kroacia, të cilët u akuzuan për ndihmë për grupet serbe të përfshira në protestat.
Serbia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, por orientimi i saj drejt Rusisë, dyshimet mbi angazhimin e saj për demokraci dhe problemet e tjera ngadalësuan anëtarësimin.
Disa analistë dhe diplomatë thonë se Rusia po nxit protestat për të shtuar presion ndaj Vuçiqit për të braktisur “ndjekjen e tij të herëpashershme të Perëndimit”. Veteranët serbë të luftës iu bashkuan protestave të fundit duke valëvitur flamujt rusë.
Në vitet e fundit ka pasur protesta të shumta në Serbi kundër Vuçiqit, por këto të fundit kanë marrë mbështetje më të gjerë.