Dr. Afrim Blyta, profesor i Neurologjisë, Psikiatrisë dhe Psikologjisë Mjekësore, Fakulteti i Mjekësisë Prishtinë u është drejtuar me një letër të hapur liderëve politikë në Kosovë.
Përmes letrës së tij, Blyta ka thënë nuk është përgjegjësi e qytetarëve të Kosovës situata në Kosovë.
“Qytetarët mund të jenë ed he të papërgjegjshëm, si mund edhe fëmija të jetë i papërgjegjshëm. Por përgjegjësia për situata jashtë kontrollit i bie prindërve dhe liderëve. Liderët, janë ata që me veprime të duhura, të drejta, të pakushtëzuara nga interesi personal ose i partisë i bëjnë qytetarët e papërgjegjshëm të përgjegjshëm. Liderët, si edhe prindërit, pas lutjes së pasuksesshme të korrigjohet sjellja e papërgjegjshme, kanë jo vetëm obligim, por edhe detyrim të veprojnë dhe atë në interes të fëmijës dhe të qytetarit, jo të vetin – për këtë janë prindër ose lider”, ka shkruar në letrën e tij Blyta.
Në këtë drejtim, në letrën e tij, Blyta ka shkruar: “A jeni në rregull? Çfarë halle keni? A jeni dehur nga pushteti dhe përfitimet materiale? A keni fytyrë, ndërgjegje, njerëzi? A nuk mund të bashkëpërjetoni dhembjen, vuajtjen, humbjen e bashkëqytetarëve. A jeni të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm në çfarë situate gjendet vendi? A nuk mund të parashikoni çfarë mund të ndodhë? A ju kanë lënë sytë dhe veshët, apo si duket ju ka lënë edhe mendja? Apo ju pengon trungu para hundës që mos ta shihni bjeshkën? Po fshiheni duke u arsyetuar pas kushtetutës, ligjeve, rregulloreve, rendit të ditës, të cilat i konsideroni si vlera. E keni humbur rrugën në oborr!”
Dhe në fund të letrës, ai thënë: “Cila është vlera më e madhe e njeriut, nëse nuk është jeta dhe shëndeti i tij! Tradhtuat të ndjerët, të sëmurit, punëtorët shëndetësor, tradhtuat të gjithë të tjerët, me përjashtim të vetes. Po mendoni se populli harron shpejt, gabim e keni, kjo nuk do të ndodhë, jeta e njeriut është në pyetje, këtë qytetari nuk do ta harron. Dita e gjykimit do të vjen shumë shpejtë dhe si pasojë do t’ju hedh në shportë të historisë, aty ku e keni vendin, në pleh të saj. Turpi ju mbuloftë. Me mosrespektin më të madh, Dr. Afrim Blyta”.
Letra e plotë:
Letër e hapur “liderëve” politik të Kosovës,
Jam dëshmitar, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpër çfarë situate po kalon vendi dhe njerëzit e saj. Vuajtje, dhembje, pikëllim i pa fund,i mijëra e mijëra bashkëkombësve.
Parehati, shqetësim, ankth, frikë, zemërim i shumicës absolute të mbetur. Jemi në mes të sfidës e cila lëkundë themelin e ekzistencës fizike, si dhe kërcënon të ardhmen e vendit.
Jam dëshmitar, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për fjalët dhe veprimet e “liderëve” të saj.
Dhe po provoj, si njeri, mjek, profesionist i shëndetit mendor, mësimdhënës, me afër katër decenie përvojë, të kuptoj sjelljet e juaja si “lider”.
Nuk ka vend në të cilën mund të ju kategorizoj, kjo del jashtë kapaciteteve të mija intelektuale.
Ndoshta po pyetni pse “lider”, sepse lider është, njëjtë si prindi, person i cili kujdeset dhe është në kontroll të personit tjetër, grupit, vendit ose situatës.
Fatkeqësisht, për të gjithë ne, ju lider nuk jeni.
Ju jo vetëm që nuk kujdeseni, por edhe nuk jeni në kontroll të asgjë tjetër përveç interesave personale dhe grupeve të vogla rreth jush dhe në kontroll të shërbëtorëve të cilët nuk janë asgjë tjetër por makina votimi të kapura peng nga interesat vetjake.
Nuk është përgjegjësi e qytetarëve të Kosovës situata në Kosovë.
Qytetarët mund të jenë edhe të papërgjegjshëm, si mund edhe fëmija të jetë i papërgjegjshëm.
Por përgjegjësia për situata jashtë kontrollit i bie prindërve dhe liderëve.
Liderët, janë ata që me veprime të duhura, të drejta, të pakushtëzuara nga interesi personal ose i partisë i bëjnë qytetarët e papërgjegjshëm të përgjegjshëm.
Liderët, si edhe prindërit, pas lutjes së pasuksesshme të korrigjohet sjellja e papërgjegjshme, kanë jo vetëm obligim, por edhe detyrim të veprojnë dhe atë në interes të fëmijës dhe të qytetarit, jo të vetin, për këtë janë prindër ose lider.
A jeni në rregull? Çfarë halle keni? A jeni dehur nga pushteti dhe përfitimet materiale? A keni fytyrë, ndërgjegje, njerëzi? A nuk mund të bashkëpërjetoni dhembjen, vuajtjen, humbjen e bashkëqytetarëve.
A jeni të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm në çfarë situate gjendet vendi?
A nuk mund të parashikoni çfarë mund të ndodhë?
A ju kanë lënë sytë dhe veshët, apo si duket ju ka lënë edhe mendja?
Apo ju pengon trungu para hundës që mos ta shihni bjeshkën?
Po fshiheni duke u arsyetuar pas kushtetutës, ligjeve, rregulloreve, rendit të ditës, të cilat i konsideroni si vlera. E keni humbur rrugën në oborr!
Cila është vlera më e madhe e njeriut, nëse nuk është jeta dhe shëndeti i tij!
Tradhtuat të ndjerët, të sëmurit, punëtorët shëndetësor, tradhtuat të gjithë të tjerët, me përjashtim të vetes.
Po mendoni se populli harron shpejt, gabim e keni, kjo nuk do të ndodhë, jeta e njeriut është në pyetje, këtë qytetari nuk do ta harron.
Dita e gjykimit do të vjen shumë shpejtë dhe si pasojë do t’ju hedh në shportë të historisë, aty ku e keni vendin, në pleh të saj.
Turpi ju mbuloftë.
Me mosrespektin më të madh,
Dr. Afrim Blyta