Site icon PrishtinaPress

Neurokirurgu kosovar në Gjermani thotë se e tejkaloi coroavirusin pa e ditur se ishte infektuar

Neurokirurgu kosovar, Muhamed Rama i cili vepron në Baden- Wurttemberg të Gjermanisë, ka treguar se kishte rezultuar pozitiv me koronavirusin.

Por ai ka zbuluar për Klan Kosovën se këtë infeksion e mori që nga muaji shkurt por e ka tejkaluar këtë fazë pa e kuptuar fare, dhe së fundi e mësoi se kishte qenë pozitiv.

”Të hënën bëmë i gjithë stafi analizat e gjakut. Kjo për të verifikuar nëse ndonjëri prej nesh ka qenë i infektuar me COVID-19. Nga analizat rezulton se unë kam qenë i infektuar dhe se titri i antitrupave në gjakun tim është i lartë”, është shprehur ai.

Ai thotë se nga kolegët e tij të stafit mjekësor të klinikës neurologjike në Sigmaringen, është i vetmi që ka dalur me këtë rezultat.

”Unë jam i vetmi nga stafi mjekëve me këtë rezultat. Kolegët janë mjaft të befasuar me këtë rast sepse jam i vetmi nga 15 të tjerë. Do kishin dëshirë edhe ata të ishin me titër të lartë”.

Këtë ai e ka dëshmuar edhe me një dokument laboratorik të publikuar.

Neurokirurgu nga Rahoveci por që vepron në Gjermani, ka treguar edhe disa nga simptomat të cilat ai i ka pasur gjatë asaj kohe.

”Pas analizave unë e kuptova që veç kam qenë i infektuar me këtë virus”.

”Dy ditë kam pasur djegësim dhe grithje në fyt. Është shfaqur një ngjizje e zërit dhe një temperaturë e lehtë. Kisha ndjesinë e humbjes së shijes. Simptomat dita e ditës shtoheshin ngadalë por u ndjeva mirë ndonëse kisha temperatur të ngritur”.

”Ajo çfarë tek unë ndjeja ishte një djersitje jo zakonshme gjatë natës, por më pas ngeli tek unë një kollë e thatë, shumë therrëse. Mund të them që një kollë e rrallë ende shfaqet tek unë por që simptomat janë larguar”.

Rama thekson që nuk e di se si është infektuar me koronavirus.

”Rezultati për mua është befasues pasi nuk e di se kur kam qenë i infektuar edhe pse gjatë shkurtit të 5 anëtarët e familjes kishim shenja të një gripi. Në atë kohë Gjermania ende nuk kishte marrë masa kundër COVID-19”.

Ne prisnim të shfaqeshin shenja por nuk e dinim, kështu me gjasë mund të isha infektuar nga ndonjë pacient”.

Ai deklaron se ka mundësi të ketë edhe raste të tjera të tilla meqë rezultati i strishos shpesh mund të jetë i rrejshëm pozitiv ose negativ, dhe njerëzit e kalojnë me simptoma të gripit të ashpër.

”Në Gjermani bëhen strisho të fytit, gojës dhe hundës sikurse edhe në vende të tjera por rezultati shpesh mund të jetë i rrejshëm pozitiv ose negativ”.

“Unë dola negativ në një test të tillë në fillim të marsit. Pra, ka persona që kanë qenë të infektuar qysh herët dhe shumë prej tyre kanë pasur simptoma të një gripi të ashpër dhe që ka zgjatur më shumë se zakonisht e që mund të ketë qenë i shkaktuar nga COVID-19”, tha ai. /klan.kosova/

Exit mobile version