Site icon PrishtinaPress

Nesër zgjedhjet në Turqi, mbi 64 milionë qytetarë kanë të drejtë vote

Qendrat e votimit në të gjithë Turqinë do të hapen të dielën në orën 08:00 me orën lokale, ku do të fillojë votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Qytetarët e Turqisë do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes tre kandidatëve presidencialë dhe 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për Parlamentin, i cili ka gjithsej 600 vende.

Të drejtë vote kanë 64.11 milionë njerëz ndërsa më shumë se 4.9 milionë qytetarë turq votojnë për herë të parë.

Presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan, Kemal Kılıçdaroglu dhe Sinan Ogan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Türkiye-s.

Kandidati i katërt, Muharrem Ince, tërhoqi më herët kandidaturën.

Presidenti Erdogan është kandidati i Aleancës Popullore të udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), kreu i së cilës është ai. Kemal Kılıçdaroglu është kandidati i Aleancës Kombëtare të opozitës, e udhëhequr nga Partia Popullore Republikane (CHP).

Sinan Ogan është kandidat i Aleancës ATA ndërsa Muharrem Ince ishte kandidat i Partisë së tij Atdheu, para se të tërhiqte kandidaturën të enjten.Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 17:00 me orën lokale në 87 rajone.

Qendrat e votimit ishin hapur më parë jashtë Türkiye-s në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi.

Votimi në pikat kufitare filloi më 27 prill ndërsa në përfaqësitë diplomatike më 5 maj dhe zgjati deri më 9 maj, sipas orarit të përcaktuar më parë. Më shumë se 3.41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.Siç ka njoftuar Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve të Turqisë, rezultatet jo të plota do të shpallen në të njëjtën ditë, në orët e para pas mbylljes së qendrave të votimit.

Exit mobile version