Site icon PrishtinaPress

Nesër nis viti i ri shkollor

Nxënësit e mësimdhënësit nesër u rikthehen shkollave. Një ditë para nisjes së procesit mësimor, interesimi i qytetarëve për t`u pajisur me tekste shkollore për fëmijët e tyre ishte i lartë.

“Po sot ka qenë një fluks i madh i qytetarëve që kanë qenë të interesuar për t’i blerë, gjatë tërë ditës kemi qenë shumë të angazhuar për me i shit tekstet shkollore”, thotë Arben Bajoku, menaxher i librarisë.

Mirëpo, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thonë se mjetet për blerjen e këtyre teksteve, prindërve në xhirollogaritë e tyre ende nuk u janë dalë.

“Për çështjen e subvencionimit, nuk e kam asnjë informacion që dikujt kanë fillua t’i bëhet subvencionimi që do të thotë askujt nuk i kanë dal. Po presim që dalin gjatë ditës për arsyeje se një deklaratë e ministres ke që do të dalin para 1shtator e i pari fillon në 12 të natës”, “, thotë Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Ndërkaq, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, thonë se me këtë mënyrë të veprimit nga Ministria e Arsimit, procesi mësimor do të dëmtohet shumë.

“Nga ana e MASHT-it dhe Qeverisë i duket proces i lehtë, por procesi do të komplikohet kur mijëra prindër do të shkojnë të bankomatat për t’i marr parat se kemi një pjesë të madhe të familjeve nëKosovë që janë në gjendje tepër të rënd ekonomike e tash synin siç thotë populli i kanë pikërisht në ato mjete”, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut..

Ndërsa në orët e pasdites, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kanë përfunduar procedurat e pagesës për blerjen e librave shkollorë për 81 mijë përfitues. Ajo tha se në këtë grup hyjnë prindërit që kanë aplikuar deri më 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore.

Nagavci, në një njoftim në Facebook, bëri të ditur se numri i tërësishëm i aplikimeve është mbi 115 mijë dhe se pjesa tjetër do të trajtohet me grupin e radhës, përderisa ka shtuar se janë identifikuar 75 raste me gabime nga prindërit gjatë aplikimit por ata do të njoftohen për rishikim të nevojshëm./RTK

Exit mobile version