Site icon PrishtinaPress

Nëse Serbia dëshiron të shkojë drejt BE-së s’mundet të shmangë njohjen reciproke

Nuk është për t’u habitur që Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti nuk e nënshkruan marrëveshjen në Ohër, sepse deri më tani nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – thotë për Danas, Dragisha Mijaçiq, koordinator për kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për BE-në.

I pyetur se si e komenton këmbënguljen e Vuçiqit se ai nuk ka nënshkruar asgjë në Ohër, pra në çfarë kuptimi përcaktohet karakteri detyrues, duke pasur parasysh deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë të cilët thonë se të dyja palët ranë dakord dhe arritën marrëveshje, Mijaçiq kujton një shembull nga viti 2013.

– P.sh., në vitin 2013, Ivica Daçiq ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, duke shtuar shënimin: “Me këtë konfirmoj se ky është teksti i propozimit, pranimi ose refuzimi i të cilit do të dorëzojnë vendimet e tyre të dyja palët”. Marrëveshja e Uashingtonit përbëhej nga dy dokumente të ndryshme, versioni serb ishte nënshkruar nga Vuçiq dhe versioni kosovar nga Hoti. Mungesa formale e nënshkrimit më vonë nuk ka ndikuar në zbatimin e obligimeve të marra – thekson ai.

Në këtë rast, shton ai, të dyja palët kanë rënë dakord për tekstin e marrëveshjes dhe aneksin për zbatimin e saj.

– Në rastin e Serbisë, dispozitat nga këto dokumente do të përfshihen në procesin e negociatave për anëtarësim në BE në kuadër të kapitullit 35, që do të thotë se procesi i mëtutjeshëm integrues është i lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e marrëveshjes së normalizimit me Kosovën. Me fjalë të tjera, nëse Serbia dëshiron të shkojë drejt BE-së, nuk do të mund ta shmangë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ngjashëm është edhe me kapitullin aktual 35, i cili ka të bëjë me Marrëveshjen e Brukselit, me faktin se me versionin e ri të këtij kapitulli, priten mekanizma më të rreptë monitorues për masat kalimtare sesa tani – thotë Mijaçiq.

Kur është fjala për Kosovën, thekson ai, zbatimi do të lidhet me përmbushjen e dispozitave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nënshkruar nga Kosova me BE-në.

-Çdo zvarritje në zbatimin e marrëveshjes do të reflektohet në tërheqjen e mjeteve nga fondet IPA, që është gjithashtu një risi në raport me situatën aktuale – përfundon Mijaçiq.

Exit mobile version