Site icon PrishtinaPress

“Nëse s’ekstradohet, Haradinaj mund të gjykohet nga Specialja për krimet e UÇK-së”

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Veljko Odaloviq, ka thënë sot se nëse drejtësia në Francë e refuzon kërkesën e Serbisë për ekstradimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ai në të ardhmen mund të gjykohet para Gjykatës Speciale për luftën e UÇK-së.

Duke komentuar vonesën e gjykatës në Francë për ekstradimin ose jo të Haradinajt, Odaloviq ka thënë për RTS-në se është për t’u shqetësuar se pse i duhet kaq kohë e gjatë një gjykate të marr vendim për një njeri si Haradinaj që po qëndron më shumë se një muaj në Francë.

Sipas tij, edhe nëse Franca refuzon kërkesën e Serbisë për ekstradim, atëherë Haradinaj mund të gjykohet nga Gjykata Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, transmeton Indeksonline.

Odaloviq theksoi se prokurorët janë duke punuar intenzivisht në grumbullimin e dëshmive për krimet e kryera në Kosovë.

Ai tutje tha se nëse ata (prokurorët) bëjnë punën e tyre siç duhet, atëherë do të jetë shumë e lehtë që të mblidhen prova për krimet e kryera siç ka thënë ai, nga Haradinaj.

“Kjo gjykatë është krijuar për ata që humbën në Tribunalin e Hagës dhe me ata që gjykatat në Kosovë nuk i kanë gjykuar. Specialja do të hedh dritë të vogël në luftën çlirimtare të kosovarëve, do të dihet se si kanë kryer krime ku janë të përfshirë edhe liderë të sotëm politikë e shtetërorë në Kosovë”, ka thënë Odaloviq.

Ndërsa duke folur për përjashtimin e Serbisë nga negociatat në Serbi, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet asnjëherë. Sipas tij, është në interes të Prishtinës që të diskutohen disa gjëra në Bruksel.

Exit mobile version