Site icon PrishtinaPress

Nëse nuk respektohen rekomandimet e MSH-së, mund të ketë shtyrje të fazës së dytë të lehtësimit të masave

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se nëse numri i të infektuarve me coronavirus rritet atëherë do të obligohen të shtyjnë fazën e dytë të lehtësimit të masave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë me respektimin e rekomandimeve në mënyrë që të mund të kalohet në fazën e dytë të lirimit të masave.

“…Komiteti ka diskutuar situatën epidemiologjike dhe tërheq vërejtjen edhe njëherë që qytetarët të zbatojnë masat pasi kemi parë mosdisiplinim nga ana e qytetarëve në këtë kohë. Nëse numri i rasteve të infektuara rritet atëherë institucionet do të obligohen të shkojnë me ashpërsim të masave”, tha ai.

Hoti kërkoi nga qytetarët që të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore në mënyrë që të mund të shkohet me fazën e dytë të lirimit të masave.

Sipas tij, nëse qytetarët nuk kanë disiplinë atëherë mund të ketë shtyrje të fazës së dytë për lehtësimin e masave, që pritet të nisë më 18 maj.

Exit mobile version