Sipas tij, tash, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara.
“E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, ka vlerësuar ai.
I pari i vendi thekson se Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE.
“Përkushtimi i Kosovës për reformat, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në njërën anë, dhe në anën tjetër rikonfirmimi i institucioneve të BE-së se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE, duhet që natyrshëm të kurorëzohet me hapin e radhës drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, pra marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin”, ka thënë në fund Thaçi.