Është nënshkruar marrëveshja për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë në mes të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, Evetar Zeqiri në vlerë prej 25.5 milionë euro.
Sipas marrëveshjes, KOSTT-i do të implementojë projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – Përmirësimi i rrjetit të transmetimit”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky projekt parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit.
“Zhvillimi i sektorit të energjisë është prioritet kyç për Qeverinë tonë, ashtu siç e kemi dëshmuar edhe përmes përkushtimit të vazhdueshëm në koordinim me partnerët ndërkombëtar siç jemi edhe në këtë rast. Konkretisht me anë të këtij projekti do të bëhet rehabilitimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të transmisionit si dhe do të investohet edhe në shërbimet e konsulencës dhe inxhinierisë përkatëse. Projekti parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit dhe më e rëndësishme është që vazhdon të ulet edhe niveli i humbjeve, që megjithatë janë të vogla aktualisht, por rritet efiçienca e rrjetit të transmisionit dhe kësisoj përmirësohet edhe performanca e ndërmarrjes publike”, tha Murati.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, tha se ky projekt do të kontribuoj në uljen e nivelit të energjisë, efikasitetin dhe përmirësimin e furnizimit me rrymë dhe integrimin e tregut kosovarët e energjisë në tregun evropian të energjisë.
“Gjermani është e përkushtuar ta mbështes rrugën e transformimit të energjisë së Kosovës për energjinë efiçinet. Ky projekt do të kontribuoj në uljen e nivelit të energjisë, efikasitetin dhe përmirësimin e furnizimit me rrymë dhe integrimin e tregut të energjisë në tregun evropian të energjisë”, tha ai.
Kurse, Evetar Zeqiri, kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it, tha se projekti fokusohet në katër komponentë kryesorë.
“Projekti fokusohet ne katër komponentë kryesore pra ndërtimin e nënstacioneve të reja në zonën e Deçanit ku do të mundësoj integrimin e një kapaciteti të rëndësishme të burimeve të ripërtritshme të cilat kanë potencial në atë pjesë. Zëvendësimin e transformatorëve ekzistues me transformatorë të ri që do të përmirësojnë ngarkesën. Ndërrimi i linjave dhe më e rëndësishmja pakoja digjitale që ne i referohemi që ka kuptimin që do të bëjë zëvendësimin e aspektit digjital që do të mundësoj një fuqizim më të mirë të ndërmarrjes sa i përket sigurisë kibernetike e cila është bërë një temë tejet e rëndësishme”, deklaroi Zeqiri.