Asambleistja në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berna Saraçi sot i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, duke i dhënë fund aktivitetit të saj në Lëvizjen Vetëvendosje.
Pas zyrtarizimit të vendimit të saj, ka reaguar Vetëvendosje, duke pretenduar se asambleistja ishte e kërcënuar dhe e shantazhuar.
Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka reaguar ndaj këtij qëndrimi të VV-së në Prishtinë, duke sfiduar partinë që të tregojë se nga kush është shantazhuar asambleistja.
“Kush nga PDK paska kërcënuar Bernën, o hej? Ftoj ish-kolegët e Bernës nga LVV në Prishtinë që të bëjnë publike sa më shpejtë informatën se kush nga PDK e paska kërcënuar atë, apo këdo tjetër, ndonjëherë gjatë këtij mandati. Hajde ma gjallë! Emrat, ju lutem. Emrat”, ka shkruar ai.
Ajo ka thënë se refuzon të pranojë që të hidhet hije publike mbi asambleisten pa asnjë dëshmi, duke e quajtur akuzën e VV-së seksiste.
“Refuzoj të pranoj që mundemi me hedh hije publikisht mbi këdo me pretendime pa asnjë dëshmi. Sikurse, refuzoj të pranoj të hesht kur njërën nga ne, një grua të re, super çikë të Prishtinës, ndër të paktat ato gra që megjithatë hyjnë në politikë, përpjeken t’a viktimizojnë se gjasmë e vetmja arsye pse ajo mund të guxojë të vendosë ndryshe është mesiguri për shkak se nuk ka mundur të përballojë kërcënimet e shantazhet. E dhimbshme, përveç se seksiste. Përpjekjet shpifëse dhe linçuese nga kushdo, për të dekurajuar mendimet ndryshe dhe veprimet e guximshme mbi këto mendime, sikurse kjo e Bernës sot e të tjerëve diku nesër, nuk do të na ndalin asnjëherë”, ka shkruar në fund ajo. /GazetaExpress