Site icon PrishtinaPress

Nënkoloneli i ushtrisë shqiptare shpallet qytetar nderi i Deçanit

Për nder të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Komuna e Deçanit nderoi nënkolonelin e ushtrisë shqiptare, Besnik Fana, duke i dhënë titullin qytetar nderi.

Në mbledhjen solemne për festat e nëntorit, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se në këtë mënyrë po nderojnë të gjithë ushtrinë shqiptare.

“Kemi përzgjedhur nënkolonelin Besnik Fana jo si emër i përvetshëm por si emër ku nderojmë luftëtarin shqiptar dhe ushtrinë e Shqipërisë”, tha Ramosaj.

Nënkoloneli Besnik Fana, i cili u nderua me këtë titull, u zotua për punë të pakursyer në të mirë të vendit, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

“Marrja e titullit qytetar nderi, sidomos në Deçan, më besoni që i kalon kufijtë e emocionit. Si qytetari më i ri i juaji, ju premtoj që angazhimi dhe përkushtimi për të mirën e këtij vendi do të jetë i pakursyer sa herë të jetë nevoja”, tha Fana.

Besnik Fana është nderuar me mbi dhjetë medalje të ndryshme.

Ai e ka filluar karrierën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ka marrë pjese në tetë misione, Irak, Afganistan dhe Kosovë.

Exit mobile version