-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Neni 7, koncesion jo i lehtë”, a u zmbraps Osmani nga qëndrimi se Asociacioni mund të bëhet vetëm si OJQ?

Ende nuk e di se si do të zbërthehen obligimet e Nenit 7 të Plan-Propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se kjo pikë përbën koncesion jo të lehtë nga pala kosovare.

Neni 7 i Plan-Propozimit, i cili siguron “një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb” si dhe sjellë “formalizim të statusit të Kishës Ortodokse Serbe”, menjëherë me t’u publikuar në uebsajtin zyrtar nga BE, nga Presidenca e Kosovës, u komentua me rezerva të theksueshme.

“Janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta”, thanë nga Presidenca menjëherë pas takimit trilateral në Bruksel të 27 shkurtit, ndonëse përmbylljen e takimit në vetvete e vlerësuar për zhvillim pozitiv.

“Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhej më tej në deklaratën e Presidencës.

Vjosa Osmanit i kishte reaguar menjëherë ish-shefi politik i saj Isa Mustafa, saktësisht për Nenin 7, derisa i kishte kërkuar të sqarojë në plotëni implikimet e Nenit 7.

“Kapërcen shumë larg Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, u shpreh shkurt për Insajderin Isa Mustafa pyetur rreth reagimit ndaj Osmanit.

Ai pati disa pyetje themelore për ish-partiaken e tij, Vjosa Osmanin: “A është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”.

Por, se çka përmban ky “vetëmenaxhim për serbët e Kosovës”, Mustafa ka shumëçka për të thënë. “Menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, personelin, drejtimin (udhëheqjen) dhe kontrollin. Pra kompetenca ekzekutive”.

“Këto i pranoi kryeministri ynë. Asociacioni është diçka tjetër”, përfundoi Isa Mustafa.

Megjithatë, sipas Vjosa Osmanit, nuk duhet të shihet Neni 7 “ashtu siç është” aktualisht në Marrëveshjen Bazë, por të pritet përmbyllja e diskutimeve dhe sqarimeve të të gjitha dispozitave të marrëveshjes. “Sepse neni 7 do të zbërthehet tani në aneksin e zbatimit dhe në qoftë se do të përbën rrezik a po jo varet nga ne. Varet se si zbërthehen obligimet e nenit 7”.

Qëndrimi i “kahershëm” i Osmanit për Asociacionin

Për Vjosa Osmanin çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me komptenca ekzekutive ose si një shtresë e tretë ose e ndërmjetme e pushtetit, ka herë ka qenë objekt kundërshtimi.

Por, sipas saj, nëse ajo formohet si një OJQ, atëherë ajo do të kishte qenë edhe e bëshme. “Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, thoshte ajo në tetorë të vitit të kaluar.

“Ne i obligohemi kushtetutës sonë”, shprehej Osmani teksa thirrej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e cila kishte gjetur plot 23 nene në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash, që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore”.

“Por, në qoftë se dikush kërkon kompetenca ekzekutive, kërkon që të shkojë përtej Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që gjëra të tilla nuk lejohen dhe ne nuk mund të shkojmë përtej Kushtetutës sonë”, shprehej e sigurtë Osmani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img