Site icon PrishtinaPress

Nëna i akuzoi mjekët për trajtim të pandërgjegjshëm, drejtori i Gjinekologjisë: Është abort, foshnjat kanë vdekur jashtë Klinikës

PrishtinaPress mëngjesin e sotëm raportoi për një rast të rëndë që i ka ndodhur një gruaje e cila ishte në pritje të dy foshnjave binjake.

Mbrëmjen e së shtunës, ajo u dërgua me urgjencë në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku u konstatua se zemra e foshnjave kishte ndaluar së rrahuri.

Lidhur me rastin për të cilin tashmë Prokuroria ka nisur hetimet, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Ndrejaj tha se bëhet fjalë për abort dhe jo lindje të parakohshme, sepse gruaja ishte në javën e 21-të të shtatzënisë.

Sipas tij, nëna është dërguar në Klinikë me foshnjat e vdekura dhe atje është kryer vetëm procedura e abortit.

“Kjo ka ndodhë parmbramë. Ai rasti, nuk kanë vdeke ato foshnja në lindje. Ai është abort. Deri në javën e 23-të quhet abort. Dmth nuk ka lindje aty. Kanë vdekë jashtë Klinike dhe janë ardhë me fmi të vdekun në Klinikë. Kjo është informata e sigurt”, tha Ndrejaj.

Tutje drejtori i Gjinekologjisë bëri me dije se nëna e cila nuk arriti t’i sillte në jetë dy fëmijët e saj, ka ndjekur kontrollet për përcjelljen e shtatzënisë në ordinancë private, prandaj thotë se stafi i Klinikës me të cilën udhëheq, nuk ka të bëjë asgjë me rastin në fjalë.

“Tash ajo mundet me akuzu, por jo stafin, por nëse i ka akuzu prej kontrollave të maherëshme që i ka bo diku në privat, por jo absolutisht stafi nuk ka të bëjë kurrgjë aty. Kanë ardhë me fmi të vdekun mrena, kanë vdekë jashtë Klinikës, e në Klinikë veç është kry aborti. Nuk është lindje, është abort. Edhe në bazë të OBSH-së, literaturë, deri në javën e 23-të është abort. As lindje para kohe, as lindje, po abort”, tha Ndrejaj për Sinjalin.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e nënës.

Sipas 42-vjeçares për shkak të dhimbjeve që kishte gjatë kohës që ishte 21 javë shtatzënë, kishte shkuar në spital ku edhe kishte marrë terapi. E pas kësaj, ajo ka pohuar se ka lindur dy foshnjat, njërën në shtëpi dhe tjetrën në Klinikën e Gjinekologjisë.

Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të foshnjave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’./PrishtinaPress/

 

Exit mobile version