Delegacioni Shtetëror për Dialogun Kosovë – Serbi, të cilin e bashkëkryesojnë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, do ta kenë në dispozicion një kat të objektit të Ministrisë së Diasporës.
Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, është treguar zemërgjerë me Delegacionin, pjesë e të cilit është edhe vetë ai, por ka lënë pa punë një pjesë së stafit të tij, pasi këta kanë mbetur pa zyra dhe pa kompjuterë derisa të bëhet një zgjidhje për ta.
Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Diasporës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se ekipi negociator do të vendoset përkohësisht në objektin e këtij dikasteri qeveritar. “Për të mos krijuar shpenzime shtesë nga buxheti i Kosovës për zyra ose edhe për objekte Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) ka caktuar një hapësirë të nevojshme për vendosjen e përkohshme të stafit teknik të ekipit brenda objektit të MDIS. Kjo është bërë edhe për arsye të afërsisë me zyrat dhe me objektet shtetërore me të cilat ky staf do të ketë komunikim të vazhdueshëm, si me Kryeministrinë, me Presidencën dhe me Kuvendin”, thonë për “Zërin” nga Zyra për Informim e Ministrisë.
Dardan Gashi kishte luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN në vitin 2017, duke ndikuar te deputetja e LDK-së Teuta Rugova që ta votojë qeverinë “Haradinaj”. Këtë favor këtij koalicioni Gashi ia kishte dhënë falë lidhjeve që kishte me vëllain e deputetes Rugova, Ukën, përderisa përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë e akuzonin Gashin për kontrabandim të votave, duke e quajtur sekser, shkruan Gazeta “Zëri”.
S’ka kushte për stafin e Ministrisë, i bëhet zgjidhje edhe Delegacionit
Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike, ndonëse vetë ka mungesë të hapësirave të nevojshme për punë, i ka bërë zgjidhje Delegacionit Shtetëror për Dialogun Kosovë – Serbi. Në këtë Ministri pranojnë se objekti i tyre nuk i përmbush kushtet optimale për të akomoduar staf shtesë. “Objekti gjithsesi nuk i përmbush kushtet optimale për të akomoduar staf shtesë, mirëpo duke llogaritur se ky aranzhim është për një kohë të shkurtër, administrata e MDIS ka ndërmarrë të gjitha veprimet ashtu që secili pjesëtar i stafit të ketë kushte për punë të papenguar”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Diasporës.
Edhe Ministria e Administratës Publike (MAP) e ka konfirmuar për “Zërin” se ky delegacion do të vendoset në Ministrinë e Diasporës dhe se MAP-i do të përkujdeset të krijojë më tepër hapësirë në rast se ky delegacion ka nevojë për zyra shtesë. “Delegacioni Shtetëror për Bisedime me Serbinë do të vendoset në disa zyra në ndërtesën ku është e vendosur Ministria e Diasporës, për të cilën përkujdeset MAP-i. Nëse ky Delegacion ka nevojë për zyra shtesë, atëherë MAP-i do t’i gjejë hapësira të tilla për veprim”, thuhet në përgjigjen e MAP-it.
Gaxherri: Përveç dëmit, ekipi po krijon edhe shpenzime
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë për “Zërin” se delegacioni aktual përveçse po i shkakton dëm dhe është i papeshë në dialogun me Serbinë, tash do t’i krijojë edhe shpenzime buxhetit të Kosovës. “Tash me këso lloj hapash duke dashur ta rrisin reputacionin e tyre bëjnë edhe gjëra të tilla, të cilat krijojnë vetëm shpenzime. Fatkeqësia më e madhe është që në të vërtetë humbet kohë dhe energji. Ky është një organ i cili po ia bën qejfin vetes dhe po shpenzon para, sepse kushedi tash sa do të shtohet numri i atyre nëpër zyra për të marrë mëditje”, u shpreh Gaxherri.
Gjithë këto përpjekje të delegacionit Gaxherri i quajti garë mes tyre dhe presidentit Thaçi dhe theksoi se ekipi negociator po mundohet të bëhet me objekt për t’u marrë më seriozisht nga presidenti. “Këto zyra po i bëjnë vetëm si formalitet, sepse nuk kanë legjitimitet dhe janë të vetëdijshëm edhe vetë që nuk kanë legjitimitet, por e tërë kjo maskaradë është duke u bërë për t’i dhënë fuqi si delegacion dhe për t’i treguar zotit Thaçi se tashmë janë edhe institucion, e që faktikisht nuk janë”. deklaroi Gaxherri.
Ajo theksoi se zyrtarët e lartë shtetërorë nuk do të jenë në gjendje t’i menaxhojnë punët e tyre shtetërore tani që po u ndahen përgjegjësitë nëpër institucione të ndryshme, por megjithatë ajo thotë se edhe ashtu nuk pritet punë prej këtij delegacioni sepse tashmë atyre u është bërë me dije qoftë nga Kosova, qoftë nga Brukseli, se nuk kanë relevancë dhe legjitimitet.
Kollçaku: Delegacioni po tenton të shfaqet si institucion
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se delegacioni shtetëror për t’u marrë më seriozisht po mundohet të shfaqet më shumë si institucion. “Këta po tentojnë të shfaqen si institucion, por është shumë e qartë që vazhdimi i dialogut do të jetë në nivel presidentësh e po shihet që do të vazhdojë si i tillë dhe ky ekip në mënyrë substanciale nuk do të sjellë asnjë rezultat”, u shpreh Kollçaku.
Kollçaku pohoi se ekipi negociator nuk ka nevojë për zyra, pasi secili anëtar i ekipit ka zyra ku do të mundë t’i aranzhonin takimet dhe jo ta ngarkonin buxhetin e shtetit me zyra të reja ose me staf shtesë. “Është e qartë që do të ketë shpenzime enorme edhe pse këta njerëz të gjithë paguhen, i kanë pagat nëpër poste tjera dhe nuk është dashur fare të ketë shpenzime as për zyra tjera, sepse i kanë ato ku punojnë secili prej tyre dhe është dashur vetëm kur takohen t’u krijohet ndonjë hapësirë dhe me këtë që po bëjnë tash buxheti vetëm sa do të rëndohet”, theksoi ajo.
Ndërsa analisti politik, Imer Mushkolaj, megjithëse e ka cilësuar të nevojshme që t’i jepet një hapësirë këtij delegacioni, ai e ka kritikuar buxhetin e ndarë nga Qeveria për këtë ekip. Ai megjithatë shprehet skeptik për mënyrën se si do t’i menaxhojnë punët primare anëtarët e këtij Delegacioni, duke qenë se të gjithë mbajnë pozita të larta shtetërore, si ajo e zëvendëskryeministrit, e ministrit, e kryetarit të Komunës, e deputetit.