3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Negociatat konfidenciale të Qeverisë së Kosovës për vaksinën

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk konfirmojnë nëse Kosova po zhvillon negociata për furnizim me vaksina kundër coronavirusit me dy kompani Pfizer/BioNTech dhe Moderna, vaksinat të së cilave janë miratuar për përdorim dhe ka nisur administrimi i tyre në disa shtete të botës.

I pyetur nëse Kosova ka nisur negociatat me këto dy kompani, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, tha se kjo çështje është konfidenciale.

“Jemi të angazhuar që sa më shpejt ta sigurojmë vaksinën. Kemi edhe raporte që të ruajmë edhe korrektësinë, atë që ne e quajmë edhe konfidenciale, që hyjmë në ndonjë kontratë eventuale”, tha Zemaj.

I pyetur pse kjo çështje duhet të jetë konfidenciale, Zemaj tha se këtë e vlerëson ai, shteti i Kosovës, që qytetarëve të Kosovës t’u ofrohet vaksina sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase.

Kosova pret që të marrë vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërkaq pjesën tjetër do ta blejë vetë.

Sipas Zemajt, buxheti për vaksina do të jetë “problemi më i vogël”.

Programi COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra, sipas një hulumtimi të Reuters, deri më tani ka krijuar marrëveshje furnizimi jodetyruese me kompanitë, AstraZeneca, Novavax dhe Sanofi për një total të rreth 400 milionë vaksinave, me mundësi të porositjes së qindra miliona dozave shtesë. Programi COVAX nuk ka marrëveshje për vaksinën e kompanisë Moderna, apo të Pfizer/BioNTech.

Sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Kosovës, thuhet se Qeveria e Kosovës obligohet që të sigurojë për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër koronavirusit të ri.

Shpenzimet për vaksinën kundër COVID-19 dhe për vaksinimin e detyrueshëm, sipas këtij ligji, i mbulon Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj, nga donatorët apo përmes kredive që i merr shteti.

Përfaqësues të mbrojtes së të drejtave të pacientëve dhe infektologu Hamdi Ramadani, thonë se Kosova është vonuar në sigurimin e vaksinës.

Ramadani thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vonuar në marrjen e hapave konkrete për të siguruar vaksinën, menjëherë pasi që ajo të fillojë të aplikohet.

“Është dashur të bëhet një kërkesë e mëhershme që në momentin që të prodhohet, të jetë e gatshme edhe për Kosovën, pasi që kërkesat nga çdo vend janë të mëdha dhe secili vend po lufton për shëndetin e qytetarëve të vendit të vet”, thotë Ramadani.

Vaksinimi i popullatës sa më herët, shton Ramadani, do të ndihmonte në sigurinë e shëndetit dhe jetës së qytetareve.

“Nëse nga janari 2021 do të mund të fillojë vaksinimi në Kosovë, do të ishte një mrekulli”, thotë Ramadani.

Edhe kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, thotë se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova është vonuar në sigurimin e vaksinës.

“Meqenëse shtetet e rajonit nuk kanë ndonjë përparësi shumë të madhe ndaj nesh, por kanë arritur të përfitojnë një vaksinë të tillë, atëherë ne jemi vonë. Është shumë e rëndësishme që sa më shpejt një vaksinë e tillë të vjen në Kosovë, pasi që Kosova është e vogël brenda ditës të kemi kaq shumë vdekje”, thotë ai.

Rajoni konfirmon negociatat me Pfizerin

Shqipëria është në negociata me kompaninë amerikane Pfizer, për të siguruar vaksinat kundër COVID-19. Në një konferencë për media të hënën, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se kanë hartuar planin e vaksinimit dhe janë duke siguruar edhe logjistikën e nevojshme për ruajtjen e vaksinave. Ajo shtoi se të parët që do të vaksinohen – kur të sigurohen vaksinat – do të jenë punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit. Shqipëria po ashtu pret të marrë vaksina edhe përmes programit të OBSH-së, COVAX.

Maqedonia e Veriut ka thënë se pret që në muajt e parë të vitit 2021 të pranojë dozat e para prej porosisë prej 800,000 dozash të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it. Zyrtarët maqedonas kanë thënë se do të bisedojnë edhe me kompani të tjera për të siguruar vaksina, pasi ky shtet planifikon që të nisë vaksinimin e popullatës në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Ky shtet po ashtu është pjesë e programit COVAX.

Ndërkaq, autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar se këtë javë do të arrijë dërgesa e parë e vaksinës së kompanisë Pfizer, që do të shpërndahet nëpër shtëpi të pleqve. Kjo dërgesë, do të pasohet edhe me kontingjente të tjera deri në fundvit, kanë thënë autoritetet.

Ndryshe, sipas një hulumtimi, vaksinat e kompanisë Pfizer kushtojnë rreth 18.40-19.50 dollarë derisa ato të kompanisë amerikane Moderna 25-37 dollarë. AstraZeneca ka thënë se vaksina e saj do të jetë më e lirë sesa e konkurrentëve të tjerë. /rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img