Site icon PrishtinaPress

Në Zyrën e Kryeministrit nuk shqetësohen nga deklaratat e Haradinajt: Koalicioni po funksionon mirë

Dy muaj pas votimit të Qeverisë, partnerët e koalicionit duket se kanë hasur në disa mospajtime. Këto mospajtime erdhën pikërisht në kohën kur ka rifilluar dialogu me Serbinë. Gjithashtu për emërimin e Skender Hysenit në pozitën e koordinatorit të Qeverisë për dialog me shtetin serb, dy partnerët e koalicionit qeverisës AAK dhe Nisma Socialdemokrate u shprehën se nuk kanë qenë të informuar.

Madje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e ka përkrahur emërimin e Hysenit dhe se në takimin në Bruksel, kryeministri Hoti nuk e ka marrë në takim ministrin Selim Selimi, dhe se për këtë ai nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, përkundër deklarimeve të Haradinajt e Limaj, nga zyra e kryeministrit thonë se koalicioni është duke funksionuar shumë mirë.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në një deklaratë për Telegrafin ka pohuar se koalicioni do të vazhdojë të funksionojë.

“Koalicioni është duke funksionuar shumë mirë edhe do të vazhdojë të funksionojë kështu. Ata i kanë dhënë versionit e veta, mirëpo ne themi që ka koordinim të duhur brenda koalicionit qeveritar. Ka mirëbesim brenda koalicionit dhe nuk parashohim ndonjë gjë”, deklaroi ai.

Beqiri tha se koalicioni qeverisës është duke funksionuar në formatin që ka dhe përderisa funksion si i tillë natyrisht se ka mirëbesim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka njoftuar se Skender Hyseni është emëruar Koordinator Shtetëror për Dialog.

Sipas njoftimit, kryeministri Avdullah Hoti ka marr vendim që ta emëroj në këtë pozitë.

“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Koordinatori për dialogun, pritet të udhëheqë Këshillin e Ekspertëve pranë Zyrës së Kryeministrit, i cili u formua në fillim të korrikut, do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.

Hyseni gjithashtu pritet të përfaqësojë Kosovën në dialog me Serbinë gjatë ditës së sotme në Bruksel, ku pritet të bisedohet për personat të pagjetur, për personat të zhvendosur dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Siç u paralajmëruar nga kryeministri Hoti, koordinatori do të punojë edhe në “draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke”.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version