Në Zubin-Potok është ekspozuar një grafit me porosinë: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Paraprakisht është shfaqur në një ndeshje futbolli nga tifogrupi Cërvena Zvezda i Beogradit e më pas edhe në qytete të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Rusi. Kryetari i Zubin-Potokut tregoi se ka edhe grafite të tjera që promovojnë organizata tashmë të shpallura terroriste si “Brigada e Veriut”
Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është ekspozuar të enjten në veriun e banuar kryesisht me serbë, një mur jo shumë larg objektit të Komunës së Zubin-Potokut.
Fillimisht ai u paraqit në ndeshjen futbollistike miqësore mes Cërvena Zvezdës dhe Fiorentinës më 26 korrik. Bashkë me shkrimin cirilik u këndua edhe një këngë që e përmend kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe u paraqit koreografia me tankun ushtarak që promovon luftën.
Promovimin e ushtrisë serbe që ka kryer masakra ndaj shqiptarëve më 1998 e 1999, Policia e Kosovës e ka kategorizuar si nxitje të urrejtjes.
“Raportohet se në hyrje të qytetit, në një mur mbrojtës është hasur një mbishkrim me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes. Është njoftuar prokurori kujdestar, përderisa janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raportin e së enjtes të Policisë.
Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, tha se grafiti është rreth 150 metra larg objektit të Komunës. Ai tregoi se ka edhe grafite të tjera që promovojnë organizata tashmë të shpallura terroriste si “Brigada e Veriut”.
“Këto grafitë, jo vetëm kjo tash, por edhe më përpara disa, i kanë shkruar nëpër tabela rrugësh nganjëherë. Besoj se organet e sigurisë ose do t’i fshijnë, ose diçka. Nuk është diçka përveç një grafiti me përmbajtje armiqësore, të themi ashtu, por është problemi që ka disa grafite të tjera nëpër disa tabela… mirëpo në objekt të Komunës nuk janë”, ka thënë Zeqiri.
E, zëvendëskomandanti i Drejtorisë së Policisë për Rajonin e Mitrovicës-Veri, Veton Elshani, i pyetur lidhur me komentin e Zeqirit se i takon policisë t’i fshijë grafitet, është përgjigjur shkurtimisht se Policia u përgjigjet urdhrave të Prokurorit të Shtetit.
Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që në sfond ka ngjyrat e flamurit serb, është shfaqur më herët edhe në qytete të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi e edhe në Rusi.
Kënga origjinale që e përmban si rresht frazën e shkruar në grafit quhet “Ječam žnjela”. Është këngë me motive të forta kishtare, në të cilën i këndohet vajzës së Kosovës, një prej simbolikave themelore të mitit serb për Kosovën. Aty i këndohet prej lumit Sitnica, te Deçani, Graçanica e deri te Prizreni, duke i përmendur në vazhdimësi mbretërit serbë të mesjetës.
Teksti i saj është ndryshuar nga tifozëritë ultranacionaliste serbe – duke ia shtuar edhe një rresht që thotë se “Kur të vijë ushtria në Kosovë, çdo shiptari, çdo shiptari do t’i duhet të paguajë”.
Për nxitje të urrejtjes ishte dënuar edhe ish-ministri nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, meqë pati mohuar masakrën e Reçakut. Në një tubim në 2019-n, ai pati përdorur termin “terrorist shiptar” për shqiptarët, të cilët i fajësonte për kryerjen e shumicës së masakrave.
Supremja, që fjalën “shiptar” e përktheu “shqiptar” në aktgjykim, e liroi Todosijeviqin pasi vlerësoi se përdori “qartazi fjalor të papërshtatshëm”, por “brenda kufijve të lirisë së shprehjes”. /Koha