Site icon PrishtinaPress

Në Zonën e Lirë ekonomike në Frashër të Mitrovicës u vendos trafostacioni i rrymës

Në Zonën e lirë ekonomike në Frashër shumë shpejt mund të fillojë punën Kompania e parë që tashmë e ka ngritur objektin e parë prodhues, pasi që të mërkurën është vendosur edhe trafostacioni i rrymës për nevojat e bizneseve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se në vendosjen e trafostacionit dhe funksionalizimin e tij ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili tha se vendosja e tij është një nga kushtet kryesore për fillimin e punëve të bizneseve që do të vendosen aty, e që deri tash janë 19 sosh, të cilave komuna ua ka ndarë trojet për ndërtimin e objekteve, gjë të cilën duhet ta bëjnë brenda afateve të përcaktuara nga komuna.

“Është ky një moment shumë i rëndësishëm për këtë zonë, pasi që tani bizneset që janë përfituese të trojeve nuk e kanë më problemin e rrymës. Unë me këtë rast falënderoj KEDS-in për vendosjen e trafostacionit dhe kyçjen e tij në rrymë, që është kjo një ndihmë e madhe për komunën nga drejtuesit e KEDS-it. Është ky një shembull i mirë i bashkëpunimit të KEDS-it me Komunën, të cilin besoj se do ta intensifikojmë akoma, sepse kjo është në interes të qytetit, qytetarëve dhe bizneseve”, tha Bahtiri, transmeton Koha.net.

Bahtiri në vazhdim tha se shumë shpejtë në Zonën e Lirë ekonomike do të ketë ujë dhe do të ndërtohet kanalizimi, si dhe do të rrumbullakohet infrastruktura rrugore në pjesën që është parapa, kështu që pronarët e bizneseve do të kenë kushtet e duhura për aktivizimin e tyre, falë mbështetjes që po u jep komuna.

Ai tha se beson që gjatë verës të fillojnë punën e tyre në këtë zonë fabrikat e para prodhuese, në të cilat pritet të punësohet një numër i konsiderueshëm i punëtorëve.

Avni Alidemaj, drejtor i sistemit të operimit në KEDS, tha se Kompania e tij po e përmbush një obligim që del nga marrëveshja e lidhur ndërmjet KESD-it dhe Komunës së Mitrovicës, për vendosjen e këtij trafostacioni, si ndihmë për zhvillimin ekonomik të komunës së Mitrovicës.

“Ne jemi të lumtur që po e sjellim rrymën në këtë Zonë të lirë ekonomike, që do të ndihmoj zhvillimin e ekonomik të komunës. Trafoja 10/04 kV, ka një kapacitet prej 630KVA, kapacitet i cili mund të rritet deri në 1.000 KVA. Bizneset përfituese të troje në këtë zonë, tani shumë shpejt mund të fillojnë punën e tyre”, tha Alidemaj.

Exit mobile version