3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Në vjeshtë regjistrimi i popullsisë në veri – serbët nuk janë të gatshëm

Tashmë ekziston Ligji i rishqyrtuar për regjistrimin e popullsisë dhe gjatë këtij viti duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Agjencia e statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, tashmë duhet të punojë për organizimin e regjistrimit të popullsisë në komunat veriore të vendit.
“Megjithatë, ne kemi pasur deklarime të disa përfaqësuesve të komunitetit serbë se ata nuk janë të gatshëm për këtë (regjistrimin e popullsisë në veri) edhe pse më herët është kërkuar nga ne që kjo të ndodhë, për shkak të të gjitha atyre problemeve që kanë qenë më herët në lidhje me buxhetet e këtyre komunave. Por, ne do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Ligji është aprovuar. Pra, regjistrimi duhet të ndodhë këtë vit”, tha Gecaj.
Në anën tjetër, Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, subjekt ky politik që është partner në koalicionin qeverisës në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Ligji për regjistrimin e popullsisë, në dispozita të caktuara, parasheh që të formohen Komisionet komunale për këtë çështje dhe në krye të këtyre komisioneve kanë qenë kryetarët e komunave.
Sipas tij, kryetarët e komunave në veri, u kanë thënë deputetëve serb të kuvendit të Kosovës se nuk janë plotësuar ende kushtet e sigurisë, ekonomike dhe sociale, që ky ligj të zbatohet në terren. Ky qëndrim, ka thënë Simiq, u është përcjellë përfaqësuesve të institucioneve qendrore në Prishtinë.
“Ende nuk ekzistojnë çfarëdo sinjale se regjistrimi i popullsisë në veri është i mundshëm. E dimë se kryetarët e komunave na kanë paraqitur, por edhe ne e dimë, se në bazë të numrit të popullsisë krijohet viti buxhetor, por kryetarët dhe të gjithë përfaqësuesit politik nga veriu e kanë bërë të qartë se nuk ekzistojnë mundësitë që të zbatohet ky ligj”, theksoi Simiq.
Por, zëvendësministri Gecaj, thotë se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë punuar dhe po punojnë për ta krijuar një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për regjistrim të popullsisë në veri.
Sipas tij, regjistrimi i popullsisë në veri, më herët ka qenë kërkesë e vet përfaqësuesve të serbëve.
“Nëse vërtet nuk ka një vullnet për regjistrim, atëherë unë e shoh që edhe ky regjistrim mund të dështojë. Prandaj, ne duhet, në këtë kohë, në vazhdimësi, të bisedojmë me këto komuna dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që ai regjistrim të mos ndodhë vetëm ‘pro forma’, por vërtet të jetë regjistrim substancial, si dhe që qytetarët t’i përgjigjen atij regjistrimi dhe të mund të kemi regjistrim të mirë në këto komuna”, është shprehur Gecaj.
Por, Simiq thekson se serbët në veri të Kosovës ende presin sinjale pozitive për zbatimin marrëveshjeve të Brukselit, gjë që nënkupton formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo sipas tij, do të ishte shenjë e përpjekjeve për pajtim dhe për ndërtimin e respektit të ndërsjellë.
“Më besoni që për shkak të mos lëvizjes nga ‘pika e vdekur’ për formimin e bashkësisë së komunave serbe, ende nuk ekzistojnë sinjale nga qytetarët se janë të disponuar për të marrë pjesë në regjistrim të popullsisë”, tha Simiq.
Megjithatë, zëvendësministri Gecaj ka theksuar se procesi i regjistrimit të popullsisë në komunat veriore të Kosovës do të nis në vjeshtën e këtij viti.
Sido që të jetë, regjistrimi i popullsisë në Kosovë, kishte ndodhur ne vitin 2011, por, ky regjistrim nuk ishte bërë edhe në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat patën refuzuar të marrin pjesë në këtë proces. /rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img