Site icon PrishtinaPress

Në veri, posterë në serbisht: Radoiçiqi patriot i rrejshëm, Lista Serbe organizatë terroriste

Në qytete të ndryshme në pjesën veriore të vendit janë shfaqur disa posterë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Në këta posterë, që i ka publikuar në faqen e tij në Facebook zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, janë shkruar mesazhe kundër Radoiçiqit, i cili është i dyshuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, 2023.

Sipas Radomiroviqit, posterët janë vendosur në Zubin Potok e në Lepopsaviq.

Në to, Radoiçiqi paraqitet si “patriot i rrejshëm”, ndërsa Lista Serbe si organizatë terroriste.

“Kush është Millan Radoiçiq? Patriot i rrejshëm. I dyshuar për një sërë vrasjesh të serbëve në Kosovë. Pronar i narko-laboratorëve. Kriminel që ka keqpërdorur rininë tonë për pasurim personal. Terrorist”, shkruan në këta posterë të vendosur nëpër lokacione të ndryshme.

Veç këtij teksti, aty shkruan: “Thoni JO organizatës terroriste (Lista Serbe)”.

Millan Radoiçiq është i dyshuar, bashkë me disa të tjerë, për kryerjen e aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.

Exit mobile version