-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Në veri ligjin e bëjnë “të fortët”

Një incident i tillë ka ndodhur para pak kohësh në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, në të cilin ishin përfshirë komandanti dhe zëvendëskomandanti i të ashtuquajturës “Civilna Zastita” për Mitrovicën, Stevo Paviçeviq, përkatësisht Danillo Delibashiq. Vetura në të cilën ndodheshin Paviçeviq dhe Delibashiq ishte ndaluar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës për shkak të shpejtësisë së madhe që ata zhvillonin. Delibashiq i kishte fyer ata rëndë dhe i kishte kërcënuar se do të kenë pasoja edhe në familjet e tyre. Policët e frikësuar nga fuqia politike dhe ushtarake që ka Delibashiq në Serbi, por edhe në veri, nuk kanë raportuar fare rastin.
Gazeta ka mësuar se komandanti i “Civilna Zastita” për veriun e Mitrovicës, Stevo Paviçeviq dhe zëvendësi i tij, Danillo Delibashiq, kanë aplikuar për të punuar në pikat kufitare në veri, Jarinje e Bërnjakë, aty ku për shkak të kontrabandës, serbët po përfitojnë para të mëdha. Të njëjtën gjë, sipas burimeve të gazetës, e ka bërë edhe komandanti i “Civilna Zastita” në Zveçan, Çasllav Sofronijeviq.
Në veri të Mitrovicës, ligjin e bëjnë “të fortët” e asaj pjese. Ata, siç ka mësuar gazeta,  janë pjesë e një grupi që vepron në emër të kompanisë së sigurimeve “Guard”. Këtë kompani e drejton Millan Radonjiq, ndërsa aty janë edhe Zvonko Veselinoviq, pastaj Vuk Joviq, djali i Sllavolub Joviqit, i cili për kohë të gjatë ka udhëhequr organizatën famëkeqe “Rojat e Urës”, pastaj Pegja Vukosavleviq nga Krushevci i Serbisë, i njohur me nofkën “Penzija”, i dënuar atje për një vrasje dhe tani strehohet në veri të Mitrovicës, si dhe Goran Jeldimiroviq, i njohur me nofkën “Shajo”. Ata kanë fletarrestim të Policisë së Kosovës, por pa u trazuar dhe pa u frikësuar fare jetojnë në një ndërtesë në rrugën “Vllada Çetkoviq” të Mitrovicës së veriut. Mësohet se ata ndiqen edhe nga INTERPOL-i.
Të ashtuquajturit “të fortët” e veriut të Kosovës, dyshohen për disa vrasje që kanë ndodhur në veri, si dhe për vendosje të bombave dhe shpërthimeve që kanë ndodhur në pjesën veriore të vendit.
 Kryetarët paralelë pengojnë projektet e BE-së
Të paprekshme dhe me ndikim të madh, pasi që kanë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Serbisë, janë edhe komunat paralele. Në komunat veriore të Kosovës, sikurse edhe në të gjitha komunat e Kosovës në jug, Qeveria e Serbisë ka instaluar të ashtuquajtura Organe të Përkohshme, të cilat në fakt janë komuna paralele. Ato luajnë rolin e komunave, kanë kryetarin, kuvendet dhe të gjitha organet tjera për të qenë komunë. Me shumë ndikim ato janë në komunat veriore. Aleksandër Spiriq (Mitrovica e veriut), Ivan Teodosijeviq (Zveçan), Stevan Vulloviq (Zubin Potok) dhe Zoradn Todiq (Leposaviq) “vrajnë dhe kthjellin” në komunat veriore të Kosovës. Ata madje edhe i pengojnë projektet e BE-së dhe ato të komunave legale që financohen nga buxheti i Kosovës. Kryetarët legalë të komunave veriore, Goran Rakiq (Mitrovicë e veriut), Vuçina Jankoviq (Zveçan) dhe Dragan Jabllanvoqi (Leposaviq) janë nën hijen e tyre dhe ata dëgjohen vetëm atëherë kur miratojnë buxhetin nga Qeveria e Kosovës.
Stevan Vulloviq, kryetar legal i Zubin Potokut është edhe kryetar i Organit të Përkohshëm, ndërsa meqenëse kryetarët e komunave legale të veriut, sikurse dhe gjithë ministrat serbë në Qeverinë e Isa Mustafes, u binden dhe i përgjigjen vetëm Qeverisë së Serbisë. Kjo e fundit ka vendosur që nënkryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, të jetë Aleksandër Spiriq, pra kryetari i komunës paralele.
Për ta treguar fuqinë e vet, kryetari i Organit të Përkohshëm i Leposaviqit, Zoran Dodiq, nuk ka lejuar që një investim i BE-së prej 500 mijë eurosh për ndërtimin e tregut të gjelbër dhe për rinovimin e shkollës në Soçanicë, të realizohet. Sipas “Telenews.al”, për dështimin e këtyre dy projekteve, si rezultat i pengesave të Dodiqit, është njoftuar edhe Zyra e BE-së në Prishtinë, përkatësisht përfaqësuesi special, Samuel Zhbogar, i cili tashmë ka kryer misionin e vet në Kosovë.
Dragan Jabllanoviq, kryetar legal i Zubin Potokut, ka thënë se strukturat paralele që udhëhiqen nga Zoran Dodiq po pengojnë ndërtimin edhe të një kati të objektit të komunës në Leposaviq.
Zoran Todiq, përveç që është kryetar i komunës paralele të Leposaviqit, është edhe kryesues i Kuvendit të Leposaviqit, i cili ka dalë nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013, të cilat i ka shpallur presidentja Atifete Jahjaga.
Në Mitrovicën e veriut, është Aleksandër Spiriq, ai i cili vendos se cilat projekte duhet të realizohen, natyrisht për projektet e tij përdorën mjetet që Qeveria e Kosovës i ndan komunës veriore për projekte kapitale. Por, është edhe Qeveria e Serbisë, e cila investon gjithashtu shuma të mëdha të mjeteve për projekte të ndryshme, nëpërmes të Organit të Përkohshëm që drejtohet nga Spiriq.
Organet e Përkohshme me ndikim edhe në jug
Ndoshta jo edhe me aq shumë ndikim, organet e përkohshme luajnë rol të rëndësishëm për Serbinë edhe në komunat e Kosovës në jug. Gjashtë komunat me shumicë serbe në jug vuajnë gjithashtu nga ndërhyrjet dhe pengesat që u bëjnë organet e përkohshme të Serbisë
Burime të “Zërit” bëjnë të ditur se kryetar i Organit të Përkohshëm, apo i komunës paralele të Prishtinës, e cila funksionon në Graçanicë, është Lubinko Karaxhiq, i Artanës është Svetisllav Ivanoviq, i komunës së Pejës është Millosh Dimitrijeviq, i Lipjanit Serxhan Petkoviq, i Shtërpcës Ivan Rexhiq, i Obiliqit Nenad Deniq, i Gjilanit Radovan Stojkoviq, i Vitisë Millosh Jovanoviq, i Vushtrrisë Desimir Milkoviq, i Rahovecit Nenad Stashica, i Istogut Malisha Gjuriq, i Fushë Kosovës është Lubisha Çirkoviq, i Kamenicës Millosh Filiq, i Serbicës (Skenderaj) Millomir Jokiq, i Gorës Adem Hoxha, i Gjakovës Kosta Bellosheviq, i Podujevës Obren Angjellkoviq, i Prizrenit Marjan Stanisavleviq, i Klinës Bozhidar Sharkoviq, i Ferizajt Dejan Mlladenoviq dhe i komunës së Suharekës Aleksandër Miciq. Gazeta nuk ka arritur t’i sigurojë emrat e kryetarëve të komunave paralele për Deçanin, Drenasin, Shtimjen dhe Kaçanikun.
Halit Barani, kryetar i Qendrës Rajonale të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Mitrovicë, ka ripërsëritur shumë herë se strukturat paralele, përfshirë edhe ato të sigurisë nuk janë shuar, përkundrazi janë shumë aktive. Sipas tij, ato nuk do të shuhen asnjëherë, natyrisht nëse këtë e dëshiron Serbia.
“’Civilna Zastita’ nuk është shuar dhe nuk do të shuhet asnjëherë, pasi pjesëtarët e saj të integruar tashmë në institucionet e Kosovës do të paguhen nga Qeveria e Kosovës, ndërsa do të punojnë për Serbinë dhe interesat e saj“, ka thënë mes tjerash Barani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img