-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Në shtator udhëzimi gati, zgjedhjet e reja në veri në duar të votuesve serbë

Pas 1 shtatorit, zgjedhjet e reja në veri të vendit do të mbeten në vullnetin e votuesve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se procesi do të determinohet këto ditë. Kryesuesi i grupit punues që po e harton një udhëzim administrativ për këtë çështje tregoi se çfarë mbetet deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj atje.

Procesi i zgjedhjeve të reja në veri do të determinohet në ditët në vijim, tha sot ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Një grup zyrtarësh në këtë ministri që nga fillimi i këtij muaji po punojnë për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të vendit, duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat.

Krasniqi tha se si ministër e ka kryer pjesën e tij të punës për zgjedhjet, duke mos dashur të flasë më shumë për produktin (udhëzimin administrativ), që pritet të dalë më 1 shtator.

“Sa i përket zgjedhjeve në veri, është një proces që do të determinohet në ditët në vijim. Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha ai gjatë një vizite në Gjakovë.

“Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të komunave të Kosovës. Kështu që në këtë moment nuk dua të diskutoj më shumë rreth produktit për shkak se në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues dhe atëherë mund të bashkëbisedojmë për përmbajtjen e tij”, shtoi Krasniqi.

Deri tash, ministri tha se “gjithçka është në rregull” dhe se “është duke shkuar mirë” puna e grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ. Ai tregoi se zyrtarët i kanë zhvilluar dy takime, duke theksuar se “nuk mund të jap asnjë detaj shtesë”.

Pas udhëzimit administrativ, çka mbetet deri në zgjedhje?

Besim Myrtezani, kryesues grupit punues të caktuar nga Ministria, i tha Gazetës Express se po i përgatisin “krejt detajet” që do t’i përmbajë udhëzimi administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Ai tregoi se udhëzimi administrativ do t’i përmbajë të gjithë hapat që duhen ndjekur deri në largimin e kryetarëve.

“Parashihen krejt hapat, prej fillimit të procedurës, iniciativës qysh shkon deri te pjesa e dërgimit të peticionit në KQZ. E KQZ-ja i organizon votimet për largim”, tha Myrtezani

Projekt-dhëzimi administrativ parashihet të procedohet te zyra e sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më 1 shtator dhe siç tregoi kryesuesi, atë “e nënshkruan ministri”.

“Dhe pas shpalljes në Gazetën Zyrtare dhe hyrjes në fuqi, qytetarët kanë të drejtë ta nisin iniciativën pas udhëzimit”, tha ai.

Myrtezani tha se më pas mbetet në vullnetin e qytetarëve të vendosin nëse duan të nisin peticion për largimin e kryetarëve. Nëse procedohet edhe me peticionin, në votime nevojiten 50% plus një votë për t’i larguar kryetarët aktualë nga detyrat.

Sipas nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, kërkesa për largimin e një kryetari të komunës duhet nënshkruar nga 20% e votuesve dhe duhet t’i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, “i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit”.

“Nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në pikën 3 të këtij neni.

Kryeministri Albin Kurti pati thëmë më 26 korrik se po bëheshin gati për zgjedhje të reja në veri, saktësisht dy muaj pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Pak ditë më pas, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nisi procedurën për hartimin e udhëzimit administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Lëvizja e Qeverisë drejt zgjedhjeve të reja erdhi pasi me Bashkimin Europian më 10 korrik u arrit një marrëveshje për për shtensionimin e situatës në veri të vendit, e nënshkruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në Bratisllavë.

Qeveria u pajtua, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

BE-ja preferonte që zgjedhjet të bëheshin përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë për shkak të rrugës më të shkurtër, por kryeministri Albin Kurti insistoi se nuk mund t’i detyrojë ata që ta bëjnë këtë gjë. Shefi i Qeverisë e theksonte vazhdimisht nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale që parasheh rrugën drejt zgjedhjeve përmes ndërmarres së iniciativës për këtë nga vetë votuesit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img