Producenti Eshref Durmishi, i cili është edhe kryesues i këtij komiteti, gjatë një interviste për KosovaPress-in tha se të gjithë ata që kanë bërë filma gjatë vitit të fundit, do t’i sjellin në Qendrën Kinematografike të Kosovës, dhe komitet selektues do t’i shoh ata filma, për t’i vlerësuar se cili do ta prezantojë më së miri Kosovën në Oscar.
“Të gjithë ata njerëz që kanë bërë filma të gjatë vitin e fundit, ata do t’i sjellin dhe do të aplikojnë që të jenë pjesë e këtij seleksionimi. Edhe ne si komitet seleksionues do të ulemi dhe t’i shohim të gjithë ata filma, dhe do të marrim vendimin për filmin që është më i miri dhe filmi që ne besojmë se do ta prezantojë më se miri Kosovën në Oscar “, ka thënë Durmishi.
Durmishi sqaroi edhe arsyen se pse nuk kanë bërë filma të metrazhit të gjatë, duke thënë se filmat e gjatë propozohen vetëm nga shteti, siç është propozuar filmi “Babai”, në vitin e kaluar, kurse, për filmat e metrazhit të shkurtër ekziston një procedurë tjetër.
“Filmat e shkurtër nuk propozohen nga shtetet, tek filmat e shkurtër ështëkomplet një procedurë tjetër…Shteti ka mundësi me propozuar vetëm një film të gjatë, herën e kaluar ka qenë filmi “Babai”, që është propozuar prej Kosovës ose është nominuar prej Kosovës. Ndërsa për filma të shkurtër, ata kanë krejt një rrugëtim komplet tjetër , ata duhet me arrit vete me u kualifikua dhe me u nominuar për Oscar. Nuk ka të bëjë asgjë shteti nuk mundet me propozua as me seleksionua një film të shkurtër për me marr pjese në Oscar. Ka festivale të ndryshme nëpër botë që filmat e shkurtër i marrin nëse i marrin çmimet kryesore nëpër disa festivale nga kategoria A , atëherë ata filma janë direkt të nominuar për Oscar. Ose ka mënyra tjera, që filmi duhet me u shfaqe të paktën 7 herë deri në 10 dite në Los Angelos, atëherë ai kualifikohet si film për Oscar. Ndërsa filmat e gjatë propozohen prej shteteve ku secili shtet e ka një propozim për Oscar”, tha ai.
Ai beson se në shtator do të dihet se cili film do ta përfaqësojë Kosovën në Oscar.
“ Këta filma do të shikohen dhe vlerësimi do te bëhet nga komiteti seleksionues , do të shohim cili është filmi më kualitativ, cili është filmi më i mirë dhe cila është tema ma e mirë. Ne do të mundohemi ta zgjedhim një film i cili e përfaqëson Kosovën sa më denjësisht në arenën ndërkombëtare sidomos në Oscar, sepse kemi pas fatin e mire që ne si Kosovë jemi prezantua në këtë rast unë si producent dhe filmi SHOK ka pas një prezencë të jashtëzakonshëm mediatike gjatë asaj kohe, kështu që do të mundohemi te kemi filma sa më kualitativ që ta prezantojnë Kosovën. Po besoj që deri në shtator, shumë shpesh Qendra Kinematografike e Kosovës, do ta na thërrasë neve komitetin seleksionues të takohemi dhe të bisedojmë se kur do të merret vendimi, po besoj që në shtator do të merret ky vendim dhe do të dihet se cili film do ta përfaqësojë Kosovën” ka thënë ai.
Durmishi theksoi se Qendra Kinematografike e Kosovës do të bëjë mbledhje të shpeshta dhe do të vlerësojë filmin më kualitativ me temën më të mirë, i cili do të jetë në gjendje që ta përfaqësojë Kosovën sa më denjësisht. Ai sqaroi për KosovaPress-in se kjo procedurë do të përfundojë në shtator./kp
Në shtator dihet filmi që do ta përfaqësojë Kosovën në “Oscar”
Komiteti selektues për përzgjedhjen e filmit nga Kosova që do të konkurrojë për filmin më të mirë të huaj, ende nuk e ka idenë se sa filma janë selektuar. Megjithatë, e din se i gjithë procesi do të përfundojë shumë shpejt dhe se në shtator do të dihet cili film do ta përfaqësojë Kosovën në Oscar.