Site icon PrishtinaPress

Në shkëmbim zjarri me policinë, plagoset dhe arrestohet njëri nga 8 më të rrezikshmit e Vlorës

Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë, mbeti sot i plagosur gjatë një operacioni policor mëngjesin e sotëm pranë banesës së tij ku forcat e RENEA dhe efektivët e Policisë së Vlorës kishin shkuar për ta arrestuar.

Jonuzi, i dënuar me 25 vite burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të Policisë duke rrezikuar jetën e tyre, por mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.

Xhevahir Jonuzi renditej në listën e policisë si një nga 8 më të rrezikshmit e Vlorës.

Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale RENEA kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.

Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë. RENEA i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.

Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale RENEA i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.

Ekipi i RENEA-s i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.

Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. /tch/

Exit mobile version