Site icon PrishtinaPress

Në Serbi kërkojnë referendum për marrëveshjen me Kosovën

Partia Popullore Serbe që udhëhiqet nga ish-ministri serb i jashtëm, Vuk Jeremiq, ka dorëzuarkërkesën për një seancë parlamentare për të diskutuar mbajtjen “një referendumi të detyrueshëm” për Plan-Propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Iniciativën e dorëzoi nënkryetari i kësaj partie, Miroslav Aleksiq, i cili njëashtu lajmëroi se do të nisim mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve serbë për të mbajtur referendum rreth marrëveshjes.

“Ne i propozuam Kuvendit që pyetja e referendumit të thotë: A e përkrahni pranimin dhe zbatimin e propozimit për marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ashtuquajturit propozim gjermano-francez – PO apo JO”, tha Aleksiq në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Serbisë.

Ai u bëri thirrje të gjitha partive, organizatave dhe individëve, si ata që janë kundër pranimit të marrëveshjes, ashtu edhe ata që janë për, që të mbështesin mbajtjen e referendumit, sepse siç tha ai, “për çështjen më të rëndësishme kombëtare duhet të vendosin qytetarët”.

“Qytetarët, si bartës absolut sovran të pushtetit në Serbi, duhet të pyeten në përputhje me Kushtetutën e Serbisë nëse do ta pranojnë apo refuzojnë marrëveshjen”, tha Aleksiç.

Ai vlerësoi se askush nuk ka të drejtë të abuzojë me pushtetin dhe të marrë vendime në emër të qytetarëve pa i pyetur ata për këtë.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte shpallur, ashtu siç nuk e bëri, mund të mos kishte qenë nevoja për mbajtjen e referendumit, por Gjykata Kushtetuese hesht për pranimin e propozimit nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, madje ndonëse marrëveshja përfshin njohjen e Kosovës dhe mundësimin e Prishtinës që të jetë anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Serbisë”, tha Aleksiç.

Ai akuzoi Vuçiqin se “ka shkelur betimin që bëri në parlament për Kushtetutën dhe Ungjillin e Miroslavit” dhe se donte “të mashtronte qytetarët se marrëveshja është e mirë për Serbinë, në mënyrë që ai të vazhdojë të shkatërrojë demokracinë, të shkelë të drejtat e njeriut dhe të rrënojë institucionet dhe të zhvillojë krimin dhe korrupsionin.

“Në Zvicër qytetarët pyeten në referendumet lokale për ndërtimin e qendrave tregtare dhe objekteve në lagjen e tyre dhe ne në Serbi kemi një situatë ku qeveria nuk do t’i pyesë qytetarët nëse pranojnë që dikush në emër të tyre të shkëputë 15 për qind të territorin shtetëror dhe ta njohë Kosovën si shtet, sepse Vuçiq e bëri të qartë se ishte dakord me atë plan”, tha Aleksiq.

Exit mobile version