Site icon PrishtinaPress

Në rrahjen në Emshir u përfshin edhe të mitur, tre të dyshuarve u caktohet paraburgim

Tre të dyshuarve për rrahjen e ndodhur në Emshir të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim.

Gjithashtu ndaj një të dyshuari tjetër, u shqiptua masa e paraqitjes në stacion policor, në kohëzgjatje prej një muaji.

Caktimi i paraburgimit, u vendos me arsyetimin se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, raporton Klankosova.tv.

“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe të shmangen nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën, sesi pretendohet se janë kryer veprat penale, po ashtu edhe raportet familjare ndërmjet të pandehurve dhe të dëmtuarve në këtë çështje penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale dhe ndikimin në dëshmitarë me qëllim të lirimit të të pandehurve nga përgjegjësia penale, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë”, shkruan në kumtesë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 05.09.2024 rreth orës 20:30 në lagjen Emshir në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Ndërsa në të njëjtë datë, kohë dhe vend për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtëve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore”.

Exit mobile version