Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan ka arritur një kontingjent me barna për t’i ardhur në ndihmë pacientëve të cilët po trajtohen për helmim.
Ditët e fundit qindra qytetarë të disa fshatrave të Deçanit kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër pasi kanë rezultuar se ishin helmuar, megjithatë ende nuk është bërë i ditur shkaku që ka çuar në helmim.
E, krahas kësaj ata janë përballur edhe me mungesë të barnave. Megjithatë, të martën mbrëma kjo kërkesë është plotësuar nga institucionet qendrore në Kosovë.
Fillimisht u ngritën dyshimet se helmimet erdhën nga uji i pijes, më pas kjo gjë u mohua. Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji. Dy vdekje u shënuan po ashtu, por ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ato nuk kanë lidhje me helmimet e fundit.