Site icon PrishtinaPress

Në qershor mbledhja e përbashkët e dy qeverive Kosovë- Shqipëri

Në mes të muajit qershor, qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë do të bëhen sërish bashkë në një mbledhje të përbashkët.

Kështu ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti, gjatë një bisede me gazetarë në margjina të konferencës “Diaspora Flet”.

Kohë më parë ishte thënë se mbledhja do të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.

14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.

Ky do të jetë takimi i nëntë mes qeverive shqiptare të të dy shteteve, ndërsa që prej 11 janari 2014, kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje.

Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve, ndërsa në horizont mbetet sfida më e madhe ende e parealizuar, porti i ri detar i përbashkët që është planifikuar të ndërtohet në Porto Romano, një port për krejt hapësirën shqiptare në Ballkan dhe transporti hekurudhor mes Tiranës dhe Prishtinës.

 

Exit mobile version