Pasditen e djeshme Policia e Stacionit policor “Veriu” në Prizren kishin pranuar një informacion i cili bënte me dije se në Lagjen Petrovë të Prizrenit një qytetar ishte kanosur me armë.
Përmes një njoftimi për media, policia bën të ditur se pas pranimit të informacionit, hetues policorë dhe njësite patrulluese kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në konsultim me prokurorin e shtetit është bastisur shtëpia e tre të dyshuarve (vëllezër) dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kallashnikov me 5 fishekë; dy karikatorë dhe një çantë për armë.
“Gjatë intervistave me të dyshuarit, tek hetuesit policorë ka lindur dyshimi se në shtëpinë e të dyshuarve mund të ketë edhe armë tjera dhe me pëlqim të prokurorit, sot është kryer një bastisje me pajisje detektor dhe si përfundim, në një korridor është vërejtur mur i dyfishtë në të cilin ishin fshehur një kallashnikov dhe një pushkë gjysmë automatike dhe 111 fishekë të kalibrit 7.62mm. Armët e sukuetruara dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme”, thuhet ne njoftim.
Tutje, policia njofton se para se të intervistoheshin të dyshuarit, hetuesit kanë kërkuar edhe prezencën e avokatëve mbrojtës. Pas arritjes së tyre, njëri nga hetuesit ka kërkuar nga njëri avokat të prezantohej dhe të tregonte licencën.
Pasi i njëjti e kishte treguar emrin dhe mbiemrin nuk e kishte deklaruar licencën dhe ky fakt e kishte vë në dyshime hetuesin i cili kishte hetuar më tej dhe kishte gjetur se avokati i paraqitur nuk kishte licencë nga Oda e Avokatëve dhe e kishte deklaruar emrin dhe mbiemrin e vëllait të tij binjak që ishte avokat i licencuar.
Lidhur me këtë rast, policia, në konsultim me prokurorin e shtetit ka iniciuar rastin për Prezantim të rrejshëm.