Gara më e madhe evropiane për klube, Liga e Kampionëve, për sezonin 2016/2017 tashmë është zhvendosur në fazën çerekfinale.
Në këtë fazë është kualifikuar kampioni në fuqi, Real Madrid, që në 1/8 e finales e eliminoi Napolin me rezultat të përgjithshëm prej 6-2.
Bayern Munichu e turpëroi Arsenalin duke fituar me rezultat 10-2 nga të dyja ndeshjet.
Përmbysjen historike e bëri Barcelona duke u kthyer nga disavantazhi prej 4-0, për ta mposhtur Paris Saint-Germainin me rezultat 6-1 në Camp Nou dhe u kualifikua tutje me rezultat të përgjithshëm prej 6-5.
Juventusi nuk pati shumë probleme me Porton, skuadër të cilën e eliminoi me rezultat prej 3-0 nga të dyja ndeshjet.
Borussia Dortmundi humbi 1-0 në përballjen e parë, por në të dytën fitoi me rezultat 4-0 kundër Benficas.
Ndoshta një tjetër befasi ishte Leicester City që e eliminoi Sevillan me rezultat të përgjithshëm prej 3-2.
Atletico Madridi vazhdoi tutje në dëm të Bayer Leverkusenit me rezultat të përgjithshëm prej 4-2, i cili ishte edhe rezultati i sfidës së parë, pasi takimi kthyes në Vicente Calderon u mbyll pa gola.
Monaco bëri një tjetër përmbysje të bukur për ta eliminuar Manchester Cityn. Ekipi francez pësoi me rezultat 5-3 në Etihad Stadium, ndërsa fitoi me rezultat 3-1 para tifozëve të vet.
Përfaqësimi sipas shteteve:
Spanja përfaqësohet me tri klube: Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid
Gjermania përfaqësohet me dy klube: Bayern Munich dhe Borussia Dortmund
Italia me një: Juventus
Anglia me një: Leicester City
Franca me një: Monaco
Shorti për ndeshjet çerekfinale do të ndahet më 17 mars (e premte). Përballjet e para çerekfinale do të zhvillohen më 11 dhe 12 prill, kurse ndeshjet kthyese më 18 dhe 19 prill.