Nezir Mehmetaj nga Klina vazhdon të mbahet në burgun e Serbisë tash e gati katër vjet. Familja po presin ndihmën e shtetit pasi atyre edhe u është ndaluar që të shkojnë e ta vizitojnë, megjithëse shprehen të zhgënjyer që deri tani nuk gjetën asnjë përkrahje për këtë rast. Ministrja Haxhiu i ishte drejtuar homologes së saj serbe duke i kërkuar transferimin e Mehmetajt në Kosovë dhe të një tjetër kosovari që mbahet në Serbi.
Dyert janë të hapura e brenda kësaj shtëpie në Rudicë të Klinës, qëndron një nënë në pritje të djalit të saj që gjendet i burgosur tash e gati katër vite në Serbi.
“E lanë në veturë një cop herë, na pritë se po na i japin dokumentet, ata nuk na i dhanë, ai tha qitu s’po vjen era e mirë”.
E malli për të vetëm sa vjen e rëndohet sidomos kur tani familjarët nuk mund të komunikojnë me të as përmes telefonit.
Nëna e tij tregon se edhe vet kishte tentuar ta marr këtë rrugë në të cilën iu arrestua djali.
“Vjet në verë kam qenë dy herë, një herë me kanë lënë me hy e herën tjetër jo”, ka deklaruar Nazlije Mehmetaj.
Nezir Mehmetaj u arrestua nën dyshimin se kishte qenë ushtar i UÇK-së e se kishte marr pjesë në vrasjen e ndalimin e disa personave në Klinë por nëna e tij tregon se ai as që kishte qenë në Kosovë gjatë luftës sepse jetonte në një shtet evropian.
Ajo shprehet e zhgënjyer me gjithë ngjarjen përfshirë punën e institucioneve të Kosovës për këtë rast.
Mehmetaj ka shtuar se “Kemi kërkuar, s’kemi lënë derë pa trokitur për të. As nuk ka qenë veteran, e as nuk ka qenë në luftë, veç që po munden e pe mbajnë të arrestuar”.
Për problemet që kjo familje ka për ta vizituar djalin e tyre, ka shkruar edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas tij, Serbia po bënë shkelje të marrëveshjeve të Brukselit nga regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Javë më parë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu drejtua autoriteteve serbe përmes një letre për këtë rast dhe një tjetër.
Haxhiu, i është drejtuar ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, për transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë, si dhe të një kosovari tjetër, Petrit Dula, i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.