Site icon PrishtinaPress

Në përvjetorin e marrëveshjes së paqes, Presidenti Biden flet me optimizëm për Irlandën e Veriut

Presidenti amerikan Joe Biden u tha njerëzve të mbledhur në Belfast të mërkurën se shpreson të rikthehet së shpejti në Irlandë qeverisja e deçentralizuar me pushtete të ndara, duke premtuar se korporatat amerikane janë të gatshme të investojnë në këtë rajon.

“Shumë e kanë bërë tashmë Irlandën e Veriut shtëpinë e tyre, duke punësuar mbi 30 mijë persona”, tha ai, duke shtuar se në dekadën e fundit, bizneset amerikane kanë sjellë mbi 2 miliardë investime në rajon.

Në një fjalim për të përshëndetur 25 vjetorin e vendosjes së paqes në rajon, Presidenti Biden u tha qindra njerëzve të mbledhur në Universitetin Ulster se institucionet demokratike që u krijuan me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, vazhdojnë të jenë jetike.

Marrëveshja e paqes ndihmoi për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm 30-vjeçar, për çështjen nëse Irlanda e Veriut duhej t’i bashkohej Irlandës, apo të vazhdonte si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Një qeverisje efikase e deçentralizuar që reflekton popullsinë e Irlandës së Veriut dhe që jep llogari përpara tyre. Një qeverisje që punon për të gjetur së bashku zgjidhje për problemet e vështira do t’i japë një mundësi edhe më të madhe këtij rajoni”, tha Presidenti Biden. “Prandaj, shpresoj që asambleja dhe ekzekutivi të rikthehen së shpejti”.

Presidenti Biden po i referohej kështu vendit që zë ky rajon në sistemin qeverisës të Mbretërisë së Bashkuar, në të cilin qeveria në Londër ka transferuar një gamë të gjerë të pushteteve tek Stormonti, që është Asambleja e Irlandës së Veriut, ku janë politikanët vendas ata që marrin vendimet kryesore, në vend të ligjvënësve në Londër.

E shoqëruar nga konflikti

Në praktikë, ndarja e pushteteve në Irlandën e Veriut ka qenë e shoqëruar nga konflikti, kryesisht mes dy partive kryesore politike – Partisë Unioniste Demokratike (DUP), që mbështet vazhdimësinë e qeverisjes me Londrën, dhe partinë Sinn Fein, që mbështet përgjithësisht ribashkimin me Irlandën.

Që kur u krijua në vitin 1998, qeverisja është rrëzuar disa herë për shkak të bojkoteve nga partitë e ndryshme, më e fundit në shkurt 2022 kur partia DUP bojkotoi në formë proteste ndaj Protokollit të Irlandës së Veriut, një marrëveshje pas Brexit-it mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian që Irlanda e Veriut të mbante kufirin të hapur dhe të lejonte tregtinë që të vazhdonte me Republikën e Irlandës, një vend anëtar i BE-së.

Sipas këtij protokolli, megjithëse Irlanda e Veriut vazhdon të jetë nën juridiksionin doganor të Mbretërisë së Bashkuar, ajo gjithashtu vazhdon të jetë pjesë e tregut të përbashkët të BE-së, ku kërkohen kontrolle dhe dokumentacion i shtuar për disa lloje mallrash që importohen në Irlandën e Veriut nga pjesët e tjera të Britanisë. Për shkak të historikut të rajonit me konfliktet, shumë njerëz nuk i dëshirojnë kontrollet kufitare.

Partia DUP gjithashtu refuzoi Kuadrin e Uindsorit, një marrëveshje që u miratua në mars për të ndrequr problemet tregtare duke pakësuar kontrollet për mallrat mes Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë.

Takimi Biden-Sunak

Në Belfast, Presidenti Biden dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak konfirmuan angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes së të Premtes së Mirë dhe mirëpritën Kuadrin e Uindsorit, si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë pas takimit të tyre.

Më herët këtë javë, zoti Sunak u bëri thirrje partive që janë përfshirë në mosmarrëveshje, që të “vazhdojnë me punën e qeverisjes”.

Presidenti Biden u tregua më i kujdesshëm me komentet për ngërçin në Stormont.

“Do dëgjoj”, u përgjigj Presidenti Biden kur u pyet nga një gazetar se çfarë do t’u thoshte partive politike të Irlandës së Veriut.

Udhëheqësi i partisë DUP, Jeffrey Donaldson, tha se vizita e Presidentit Biden nuk ndryshon pozicionin e partisë së tij.

“Nuk ndryshon dinamikat politike në Irlandën e Veriut. E dimë se çfarë duhet të ndodhë”, tha ai, duke nënvizuar se qeveria britanike duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur pozitat e këtij rajoni brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe aftësinë për të bërë tregti brenda tregut të përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar.

Trashëgimia irlandeze

Presidenti Biden, i cili përmend shpesh origjinën e tij irlandeze, qëndroi më pak se 24 orë në Irlandën e Veriut, përpara se të nisej drejt Irlandës ku do të qëndrojë deri në mbrëmjen e së premtes.

Menjëherë pasi zbriti në Dublin, Presidenti Biden shkoi drejt bashkisë Louth, vendlindja e katragjyshit të tij, këpucarit Owen Finnegan, dhe vizitoi Kështjellën Carlingford. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky ishte objekti i fundit që panë Finneganët përpara se të largoheshin drejt Nju Jorkut, më 31 mars 1849. Familja Finnegan, përfshirë James-in, stër-stërgjyshin e Presidentit Biden, u larguan në vazhdim në vitin 1850.

Duke u takuar me banorët në një bar në Dundalk, Presidenti Biden foli me dëshirë për origjinën e tij, duke përsëritur një histori që pati treguar gjatë një vizite në vitin 2016 në Irlandë, për parardhësin e Presidentit Barack Obama, Joseph Kearney, i cili ishte gjithashtu këpucar në një bashki fqinje, dhe që pati emigruar gjithashtu drejt Shteteve të Bashkuara në pothuajse të njëjtën kohë.

“Në gjithë ëndrrat e tyre, nuk jam i sigurtë se do ta kishin imagjinuar dot se 175 vite më vonë, stërnipërit e tyre do të bëheshin presidentë të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama dhe Joe Biden”, tha ai.

Të enjten, Presidenti Biden do të ketë bisedime me Presidentin e Irlandës Michael D. Higgins dhe Kryeministrin Leo Varadkar, si dhe do të mbajë një fjalim në parlamentin irlandez.

Presidenti Biden do ta përmbyllë vizitën të premten në mbrëmje me një fjalim në Ballina, vendin e origjinës së babait të tij, në bregun perëndimor të Irlandës.

Exit mobile version