Site icon PrishtinaPress

Në një vjetorin e vrasjes, familja Pajazitaj kërkon drejtësi për vajzën e saj Donjetën

Dhjetorin e vitit të kaluar, zhdukja e 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj nga Strellci, rezultoi me gjetjen e saj të vrarë në një mal në Deçan, pak ditë pasi familja Pajazitaj denoncoi rastin. Ajo u gjet e zhveshur, dhe e qëlluar me dy plumba në kokë. Një vit më vonë, të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë e di vetëm tashmë e ndjera dhe vrasësi i saj që po mbahet në paraburgim. Drejtësia për gjithë këtë kohë s’ka thënë ende gjë për rastin, ndërsa familja e 24 vjeçares vazhdon ta kërkojë arsyen se cfarë e shtyri kushëririn e saj ta vrasë Donjetën.

Donjeta Pajazitaj 24 vjeçare, nga fshati Strellc i Komunës së Deçanit, në qershorin e vitit të kaluar kishte filluar punën në njërën nga kompanitë e këtij qyteti. Por, ajo nuk arriti që të punojë gjatë, ngase vetëm 5 muaj më vonë u vra në mënyrë barbare.
Por si erdhi deri te vrasja e Donjetës, familja e saj nuk di asgjë që nga 9 nëntori i vitit 2015, datë kjo kur për herë të fundit ata e kanë parë vajzën e tyre.
Ishte pasditja e 9 nëntorit kur Donjeta kishte dalur nga shtëpia, ndërkohë që trupi i saj u gjend gjashtë javë më vonë në malet e Strellcit.
Në një vjetorin e varrosjes së trupit të pajetë të Donjeta Pajazitajt, vëllai i saj Shkëlqim Pajazitaj, rrëfen për Gazetën Express për brengat që kjo familje i ka rreth vrasjes së 24 vjeçares.
“….Donjeta sot i ka bërë një vit që kur e kemi varrosur. Nuk dimë asgjë pse ajo është vra. Ni vit ka kalua edhe fati i motrës sime ende nuk është zbardhë. Jem në pritje, po kem qef më shpejtë me u zbulu e vërteta”, thotë për Express, vëllai i tashmë të ndjerës Donjeta Pajazitaj.
Ai thotë se që nga koha që ka vdekur Donjeta, familja e tij vetëm një herë është thirre që të dëshmojë në prokurori rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë që ka më shumë se 10 muaj që kur kjo familje më nuk ka marrë asnjë lajmë nga organet e hetuesisë.
“Organet e hetuesisë veç njëherë në fillin na patën marrë në pyetje rreth vdekjes së Donjetës e më kurrë nuk kanë qenë”, thotë ai.
E ndërkohë personi i cili dyshohet ta ketë vrarë Donjeta Pajazitajn, ende gjendet në paraburgim.  N.P i moshës 60 vjeçare është edhe kushëri i familjes Pajazitaj.
“Personi që dyshohet se e ka vra Donjetën është kojshi i yni, jemi në një mahallë. Prej atij momenti ne as nuk hyjmë e as nuk dalim me atë familje. Raportet tona ma herët kanë qenë të mira, nuk e di çka u bë që ndodhi kjo ngjarje e rëndë”, thotë vëllai i saj, Shkëlqimi për Gazetën Express.
Të vetëm dëshirë kjo familje e ka zbardhjen e rastit për motrën e tyre.
“Kërkojmë si familje e Donjetës që personi që ia ka bërë atë gjë motrës sime ta marri dënimin e merituar”, thotë vëllai i saj.
Ndërkohë që familjarët e Donjetës së ndjerë gjatë së martës pas homazheve pranë varrit të saj  kanë thënë se kushëriri i tyre 60 vjeçar nuk ka mundur i vetëm ta kryejë vrasjen pasi nuk është i aftë fizikisht.
Donjeta Pajazitaj më 9 nëntor 2015 kishte dalë nga shtëpia e saj, ndërsa trupi i saj ishte gjetur në malet e Strellcit. Ndërkohë që organet e drejtësisë ende nuk kanë ngritur aktakuzë për personin i cili dyshohet ta ketë vrarë Donjeta Pajazitajn.
Exit mobile version