2.3 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Në një kohë kur votat për KiE s’janë të sigurta, Gërvalla s’e bën hesap votën malazeze

Një deklaratë aspak diplomatike kohëve të fundit u shqiptua nga kryediplomatja, Donika Gërvalla, referuar votës së shtetit fqinj të Malit të Zi për-ose-jo të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Anëtarësimi i Kosovës “nuk do të varet nga Mali i Zi”, i tha Gërvalla “Zërit të Amerikës” në një kohë aq të brishtë kur vendi qëndron në ‘maje të tehut’ për të siguruar anëtarësimin në një organizatë me 46 shtete anëtare, prej të cilave 34 e kanë njohur Kosovën, e ku për anëtarësim me dy-të-tretat duhen 31 vota.

Prej 34 sosh, Franca, Gjermania dhe Italia janë rezervuar në kushtin që duhet të procedohet draft-Statuti i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ndërsa Hungaria ka dalë haptazi kundër.

Do të thotë sipas kësaj matematike, një votë për Kosovën, do të shënonte krejt dallimin mes anëtarësimit ose jo.

Ishte vetë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ai i cili në një bisedë me gazetarë ku mori pjesë edhe gazeta Nacionale, tha se “ka shqetësim që Kosova mund të mos ketë votat për Këshill të Evropës” në dritën edhe të arsyes se pse vendi mund të mos jetë në agjendën e takimit ministerial të 16-17 majit.

Kosova, siç dëshmon deklarata e Gërvallës për një shtet fqinj se “nuk varemi nga vota e tyre”, nuk është marrë as me shtetet më në afërsi të vendit.

“Nuk do të varet nga vota e Malit të Zi anëtarësimi apo mos anëtarësimi i Kosovës, por do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë”, pati thënë ajo.

Megjithatë, Mali i Zi u gjend përballë kërkesave franko-gjermane.

Hiç më larg se para një jave media malazeze “CdM” (Cafe de Montenegro) raportoi se në takim me Kancelarin Federal Gjerman, Olaf Scholz, kryeministrit Milojko Spajiqit i është kërkuar që Mali i Zi t’i qëndrojë kushtëzimit franko-gjerman ndaj Kosovës për KiE krahas “hapave konkretë dhe të paprapakthyeshëm” drejt Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. CdM raportoi se kanë mësuar “jo zyrtarisht” se kjo ka qenë edhe tema mes tyre.

Nacionale ka provuar të kontaktojë me kryeministrin malazez dhe kabinetin e tij për të marrë konfirmim ose demantim se kjo i është kërkuar nga Scholz-i. As s’e kanë mohuar, as pohuar.

“Qëndrimin zyrtar të Malit të Zi do ta dini në takimin ministror”.

Kështu kishte thënë Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq – as po e as jo – pyetur rreth kundërshtisë që përfaqësuesit malazezë e kishin shprehur me votë kundër në një fazë të mëhershme të preocedimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillit të Evropës.

Kjo kishte lënë në habi shumëkënd për refuzimin e Malit të Zi në përkrahjen e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, teksa “Jo”-në votë e kishin dhënë deputetë pro-serb të këtij vendi.

“Mendoj se ka qenë një votim i fshehtë dhe se nuk ka qenë as votim, por diskutim për atë temë. Votimi i vërtetë do të bëhet në prill, kur do të kemi një seancë plenare dhe kur do të kemi një këshill ministror, kur do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi” shprehej Spajiq në fund të marsit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img