Site icon PrishtinaPress

Në New York flitet për raportet e Kosovës dhe Singaporit

Për raportet bilaterale, potencialin e tyre dhe programet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Singaporit, kryeministri Albin Kurti në New York pati një takim dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se bashkë diskutuan për mundësitë që do të rrisnin shkëmbimet dhe ndërveprimet tregtare, ekonomike, kulturore dhe të përvojave ndërmjet dy vendeve.

“Në veçanti biseduan rreth Nismës së Kombit të Mençur (Smart Nation Initiative) të Singaporit, që synon transformimin e vendit përmes integrimit të teknologjisë digjitale në sektorë të ndryshëm dhe themelimit të Fondit Sovran në Kosovë që do të forcojë ndërmarrjet publike të vendit duke i shndërruar ato në korporata të fuqishme që i kontribuojnë ekonomisë, dhe për mënyrat se si mund të përfitojmë nga shkëmbimi i përvojave në jetësimin e këtyre dy projekteve të mëdha”.

“Kryeministri falënderoi Republikën e Singaporit për mbështetjen e dhënë që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 2016, dhe theksoi rolin e rëndësishëm që Singapori mund të luaj për Kosovën në zgjerimin e bashkëpunimit dhe raporteve me vendet e Azisë juglindore”, thuhet në njoftim. 

Exit mobile version