Sot në Mitrovicë është bërë përurimi i Qendrës Multifunksionale “Omni Sport”, objekt ky i cili ofron rekreacion për të rinjtë dhe është i vetmi i këtij lloji në Kosovë.
Me rastin e përurimit të këtij objekti i pranishëm ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, bordi menaxhues i Qendrës Multifunksinale, drejtorët komunalë si dhe shumë qytetarë.
Në fjalën e tij kryetari Bahtiri, tha se funksionalizimi i këtij objekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për gjithë qytetarët e Mitrovicës, sepse ofron standarde evropiane dhe është e vetmja e tillë në tërë Kosovën.
“ Qendra Multifunksionale tani është në shërbim të qytetarëve ku ata kanë në dispozicion salla të ndryshme sportive, pishinat gjysëmolimpike, ndërsa të gjithë nxënësit e komunës sonë tani e tutje kanë mundësinë të mësojnë notin me instruktorë të kualifikuar. Ky objekt ofron edhe mundësi të tjera ku dihet se pjesë përbërëse tjera janë biblioteka, salla për ligjërata, fushat sportive dhe këndet e tjera të cilat ofrojnë kushte të mjaftueshme për rekreacion të qytetarëve”, tha kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri përmendi edhe projekte të tjera që janë duke u implementuar dhe të cilat do të ofrojnë mundësi akoma më të mëdha për pushim dhe rekreacion të qytetarëve, projektet të cilat kapin shumën me dhjetëra milionë euro.
Po ashtu nënkryetari Mujka ju gëzua shumë përurimit të këtij objekti sepse tani Mitrovicës iu shtua një qendër e nevojshme për qytetarët dhe besojmë se kështu Mitrovicës do ti kthehet dinjiteti i një qyteti të kulturës dhe sportit.
Ambientin festiv e hijeshuan numri i madh i fëmijëve dhe të rinjve që morën pjesë në përurimin e këtij objekti jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të bukur.