Në Mitrovicë mbrëmë ka nisur “Green Fest”.
Në këtë festival, sipas kryetarit të kësaj komune, Bedri Hamza, do të performojnë artistë të shumtë katër ditë më radhë.
Hamza ftoi qytetarët të marrin pjesë duke shkruar në Facebook “ejani dhe shijoni mikpritjen mitrovicase”.
“Si freski kulturore në këto ditë të nxehta, mbrëmë në Mitrovicë nisi Green Fest. Mitrovica nuk është vetëm minierë e arit, por edhe e kulturës, emancipimit, muzikës dhe bashkëjetesës ndëretnike. Thesari ynë më i madh janë njerëzit, të cilët krijuan traditë dhe vlera të artit bashkëkohor. Arti përbën edhe një segment të rëndësishëm në planin tim për zhvillimin e industrive kreative, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve. Në Green Fest do të performojnë artistë të shumtë katër ditë me radhë. Jam krenar për përkrahjen e këtij festivali, por edhe një numri rekord të ngjarjeve kulturore. Ejani dhe shijoni mikpritjen mitrovicase”, ka shkruar më tej Hamza.