Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë është regjistruar një rast i vdekjes nga coronavirusi, kurse janë shënuar edhe 1,390 raste të reja të infektuarve me këtë virus.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se nga 3,760 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike 1,390 persona kanë rezultuar me coronavirus.
Në raportin e Ministrisë bëhet e ditur se janë shëruar 871 persona, ndërsa janë dhënë 218 vaksina, transmeton Telegrafi.
Në total numri i vaksinave të administruara janë 1,833,336.
Ndërsa, Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me një apel për qytetarët, duke kërkuar bartjen e maskave në ambiente të mbyllura dhe vaksinimin.
“Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatkeqësisht sot është raportuar një rast i vdekjes nga kjo sëmundje!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së
Më tej thuhet se në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar.
“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.”
“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.
MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër COVID-19.