Site icon PrishtinaPress

Në Komisionin Hetimor për menaxhimin e pandemisë kërkohet të jenë dëshmitarë Armend Zemaj, Arben Vitia e Xhelal Sveçla

Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 u propozua që listës së dëshmitarëve t’i shtohet edhe ministri i tanishëm i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me zëvendësministrat e tij si dhe ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Anëtari i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu tha se nuk pajtohen me listën e dëshmitarëve të cilët i ka vendosur kryetarja e komisionit, Mimoza Kusari Lila, ku u shpreh se kësaj liste duhet t’i prijnë zyrtarët e lartë të institucioneve.

“Te lista e dëshmitarëve që e keni propozuar kryetare, nuk pajtohem absolutisht. Më shumë keni futur në listë mjekë sesa përgjegjës e menaxher e përgjegjës institucional në menaxhimin e karantinës. Objektivi i hetimit nuk është personeli shëndetësor, por hetimi është nga bartësit institucional qeveritar, ata që ishin dhe këta që janë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se në listën me dëshmitarë duhet të jenë konkretisht ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me zëvendësministrat dhe ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të punëve të Brendshme.

“I pari që ne duhet ta intervistojmë në listën e dëshmitarëve janë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas hierarkisë. Pra, ministrat. Në këtë rast ministri Arben Vitia dhe zëvendësministrat, pastaj sekretari permanent, udhëheqësit e qendrës operative dhe udhëheqësit e karantinës, menaxheri i prokurimit dhe pastaj Ministria e Punëve të Brendshme, ushtruesi i detyrës që ka qenë atëherë”, tha Haxhiu.

Kurse, anëtari tjetër i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19, Shkumbin Demaliaj gjatë mbledhjes së këtij komisioni ka kërkuar që listës së dëshmitarëve për hetimet në lidhje me menaxhimin e pandemisë t’i shtohet edhe ministri i tanishëm i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai ka thënë se duhet të jetë edhe ai dëshmitar pasi ka pasur disa deklarata që i ka bërë nëpër medie dhe për të cilat duhet sqarim.

“Te lista e dëshmitarëve kisha pas dëshirë që të jetë edhe ministri i ri i Shëndetësisë si dëshmitarë për shkak të disa deklarimeve të cilat i ka bërë në publik, të keqpërdorimeve të ndryshme dhe të kuptojmë në vërtetësinë e tyre në ato çka ka deklaruar nëpër televizione të ndryshme. Pavarësisht nëse jemi pozitë apo opozitë, le të shihet vërtetësia e deklaratave, pavarësisht se ka ardhur në krye të detyrës pasi u formua qeveria e re”, tha Demaliaj.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari Lila tha se ka propozuar që ky komision të vazhdoj hetimet edhe gjatë kësaj qeverie, për shkak se ende nuk ka kaluar pandemia. /Telegrafi/

Exit mobile version