Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive sot janë të hospitalizuar 58 pacientë, kurse prej tyre të sëmurë me COVID-19 janë gjithsej 53 pacientë.
Sipas njoftimit, një person është në gjendje të rëndë duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të Klinikës Infektive.
“Nga 53 pacientët e infektuar me COVID-19: 33 raste janë në gjendje stabile; 20 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve një rast në gjendje të rëndë është duke u trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv të Klinikës Infektive. Në pritje të rezultateve janë 3 pacientë, ndërsa 1 pacient i cili rezultoi negativ në testimet e fundit për COVID-19 vazhdon trajtimin në klinikë. Sot lirohet nga klinika një paciente e shëruar nga infeksioni me COVID- 19”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, mbrëmë ka raportuar për 129 raste të reja pozitive me coronavirus, një rekord i ri për Kosovën, pasi më parë numri i të infektuarve brenda ditës nuk e kishte kaluar numrin 100.
“Nga data 08 shkurt deri më 15 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.915 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.615 raste, me gjithsej 33 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhej në njoftimin e IKSHPK-së.
Gjithashtu IKSHPK ka thënë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kanë gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.
“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.